Në qytetin e Pejës aktualisht asgjë nuk të bën të kuptosh se ka pandemi.
Pothuajse të gjithë qytetarët që shihen këtyre ditëve në shesh, rrugëve dhe zonave tregtare, nuk mbajnë maska.
Kjo sjellje e qytetarëve ka ngritur shqetësimin e personelit mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, të cilët qe dy vjet janë duke u përballur me pandeminë.
“Një relaksim të skajshëm të masave. Jo në mënyrë ligjore, por në mënyrë vetjake. Nuk ka zbatim të tyre as nëpër kafene apo qendra tregtare. Domethënë, askush nuk përkujdeset”, ka deklaruar Fahri Hasani, Shef i Repartit të Pulmologjisë.
Mbikëqyrja e zbatimit të masave kundër pandemisë është kompetencë e inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë, dhe e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, pohoi se në rajonin e Pejës, në dy javët e fundit inspektorët kanë kryer 534 inspektime dhe kanë shqiptuar 43 gjoba ndaj personave juridikë dhe 34 gjoba ndaj personave fizikë.
“Ne kryesisht jemi të fokusuar në kontrollin e zbatimit të masave tek operatorët ekonomikë”, ka thënë ai.
“Personat fizikë zakonisht mbikëqyren prej policisë”.
Ndërsa, sipas zëdhënësit të Policisë në Pejë, Driton Rugova, ky institucion brenda një jave ka shqiptuar 172 gjoba.
Mosrespektimi i masave kundër COVID-it, siç thonë në Spitalin e Pejës, do të ndikojë në shfaqjen e një vale të re të infektimeve edhe për faktin se gjysma e popullatës është ende e pavaksinuar.
“Vaksinimi me dy doza është ndër 60 për qind. Kështu që ka akoma njerëz që nuk janë vaksinuar, e që duhet të vaksinohen. Po ashtu, edhe moszbatimi i masave sigurisht ka me çuar edhe në një valë të re të pandemisë me COVID”.
Jo vetëm interesimi për zbatimin e masave, por edhe për vaksinim ka rënë ditëve të fundit në Pejë.
“Numri gjatë ditës që vaksinohen prej 150 deri në 200 persona. Domëthënë ka ra fluksi, megjithëse shumica janë vaksinuar, por ka edhe një pjesë që nuk janë e ata tani jemi tu i synuar”.
Për të rritur numrin e të vaksinuarve, ekipi mobil për vaksinim tash e dy ditë është vendosur në një qendër tregtare. Në Komunën e Pejës deri tash janë administruar mbi 90 mijë doza, derisa me dy doza janë vaksinuar rreth gjysma e personave që mund të vaksinohen.