Ndonëse nga 1 shtatori ka hyrë në fuqi rregullorja e re, e cila e shuan komisionin mjekësor dhe i parasheh disa lehtësime të tjera për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të enjten disa prej qytetarëve që i përkasin kësaj kategorie i janë drejtuar Klinikës së Neurologjisë për të dalë para Komisionit vlerësues mjekësor
Disa nga personat paraplegjikë e tetraplegjikë edhe këtë të enjte janë detyruar që t’i drejtohen Klinikës së Neurologjisë për të dalë para Komisionit vlerësues mjekësor.
Këtë ata e kanë bërë ndonëse nga 1 shtatori ka hyrë në fuqi rregullorja e re, e cila e shuan këtë komision mjekësor dhe parasheh disa lehtësime të tjera për këtë kategori të qytetarëve.
Disa nga shoqëruesit, të cilët të enjten i kanë sjellë familjarët e tyre me karrocë në terminin e paraparë prej orës 12, kanë treguar nën kushtin e anonimitetit se nuk kanë asnjë informatë nëse ka nisur që të zbatohet rregullorja e re.
“Nuk na kanë treguar, veç nëse na tregojnë sot. Sot sefte kam ardhur, nuk di gjë”, ka thënë një familjar.
Informatat u kanë munguar edhe pacientëve të tjerë, ndonëse njëri prej tyre ka theksuar të jetë në dijeni për Rregulloren e re.
“Po shkojmë për herë të parë. Ligji kish dalë, ligjet janë dalë, as një muaj nuk është”, ka thënë familjari tjetër.
Në Klinikën e Neurologjisë, ku që nga viti 2017 funksionon komisioni mjekësor si shkallë e parë e vlerësimit të gjendjes së personave paraplegjikë e tetraplegjikë, kanë thënë se janë në pritje të sqarimit të procedurës nga Ministria e Financave.
“Komisioni do të jetë aktiv ende në Klinikën e Neurologjisë. Kemi bërë disa ditë pauzë për caktim të terminëve të rinj derisa u sqarua ecuria. Ne deri në vendim të ri e vazhdojmë punën e komisionit që të mos vonohen pacientët”, kanë thënë në Klinikën e Neurologjisë.
Në Ministrinë e Financave nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me çështjen. E në shoqatën “HANDIKOS”, e cila merret me çështje të personave paraplegjikë e tetraplegjikë, kanë thënë se janë njoftuar për hapjen e shpalljes publike për angazhimin e një përfaqësuesi në cilësinë e vëzhguesit.
“Komisionet janë duke vazhduar ende me të vjetrën. Kemi marrë informata se janë në proces të hapjes së konkursit për angazhim të komisionerëve apo ekspertëve mjekësorë që kanë me qenë të angazhuar në komisione”, ka thënë Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës “HANDIKOS”.
Rregullorja e miratuar në Qeveri më 14 gusht parasheh që personat e kësaj kategorie, për njohje të statusit t’i nënshtrohen vetëm një komisioni mjekësor, atij në kuadër të Ministrisë së Financave.
Për dallim me rregulloren e vjetër, e cila kërkonte rivlerësim pas 3 dhe 5 vjetësh dhe që mohonte në të shumtën e rasteve kujdestarin personal, me rregulloren e re, statusi i personit paraplegjik e tetraplegjik dhe i kujdestarit personal do të jetë i përhershëm.