Arbëri

Personat me aftësi të kufizuara i nënshtrohen rivlerësimit që ishte premtuar të hiqej para tre muajsh

Foto: ilustrim

Personat me aftësi të kufizuara, të cilët bazuar në legjislacionin në fuqi janë përfitues të pensioneve e beneficioneve, u nënshtrohen ende çdo tre apo pesë vjet proceseve të rivlerësimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Rregullorja e re që do ta mundësonte vlerësimin e tyre vetëm një herë dhe para veç një Komisioni mjekësor, nuk është miratuar as tre muaj pasi këtë e premtoi Ministria e Financave. E për vonesat dhe për fazën në të cilën ndodhet rregullorja, në këtë ministri nuk ofruan sqarime

Për të përfituar nga asistenca financiare, personat paraplegjikë e ata tetraplegjikë i nënshtrohen rivlerësimit të gjendjes shëndetësore nga dy komisionet mjekësore, ani se Ministria e Financave e pati bërë zotimin që procedura nuk do të zbatohet që nga janari.

Dhjetorin e shkuar, në këtë ministri patën pranuar se procesi ka parregullsi dhe premtuan miratimin e një rregulloreje që do ta mundësonte vlerësimin vetëm një herë dhe para një komisioni mjekësor, të kontraktuar nga Ministria.

Tre muaj pas këtij zotimi, qytetarë në karrocë ende paraqiten para komisioneve të QKUK-së dhe të Ministrisë së Financave e u nënshtrohen rivlerësimeve çdo tre apo pesë vjet.

Në shoqatën “Handikos” kanë thënë se nuk kanë marrë ndonjë informatë lidhur me vonesën në nxjerrjen e rregullores, ani se i kanë dorëzuar komentet e tyre.

“Takimi i fundit me përfaqësuesit e Ministrisë është ndoshta para dy muajsh, kur i kemi dhënë komentet edhe më nuk jemi dëgjuar. Burokracia qysh ekziston te ne... Arsyen për vonesë nuk e di, por vonesa gjithmonë ndodhin për gjithçka te ne. Vullneti për ndryshim ka qenë i sekretarit, por vullnet për aprovim dhe zbatim po shihet që nuk ka”, ka thënë Afrim Maliqi, drejtor i shoqatës “Handikos”.

E në Ministrinë e Financave që prej një jave nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS se në çfarë faze ndodhet rregullorja, teksa nuk ofruan as qasje në draftin e saj.

Krahas kësaj rregulloreje, në Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuar u ankuan se në procedurë ka ngecur edhe ajo për persona të verbër.

“Është e palogjikshme dhe absolut se ende shkenca nuk ka arritur me vërtetu se një person i verbër apo një person para e tetraplegjik mund të ketë një përmirësim shëndetësor, në mënyrë që ky përmirësim të afektojë te përfitimi i tij në kuptimin edhe financiar..... Çdo zvarritje apo çdo mospremtim, apo çdo mospërmbushje e iniciativave legjislative që lidhen me personat me aftësi të kufizuara pa dyshim që në terren shkaktohet një sfidë e jashtëzakonshme, një pasiguri te personat me aftësi të kufizuara”, ka theksuar Bujar Kadriu kryetar i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për dallimet në vlerësim dhe në kategorizimin nëpër grupe të personave me aftësi të kufizuara nga të dy komisionet. Në dhjetëra raste, këtyre personave u është njohur e drejta për kategorizim në grupin e parë pas ankesës në Gjykatën Themelore. Por në rivlerësimin e bërë pas pesë vjetësh, ata janë kthyer në grupin e dytë, duke iu mohuar e drejta për shoqërues e për benificione të tjera që u njihen me ligj.