Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Përparim Rama – Kryetari i eksperimenteve

Banorëve të kryeqytetit ua premtoi “Prishtinën e përjetimeve”. E, ata që jetojnë e veprojnë në Prishtinë përjetuan veçmas testet në komunikacion të kryetarit Përparim Rama.

Pothuajse secili test i bllokimit të rrugëve apo i kthimit të tyre në njëkahore shkaktoi kaos e kolona të gjata automjetesh, duke lënë qytetarët të bllokuar për orë të tëra në trafik. Në të tretën, edhe vetë Rama e pranoi që atë ditë mund të ishte njeriu më i urryer në Prishtinë. Megjithëkëtë, kjo s’e ndali nga përcaktimi për ta jetësuar planin e tij për komunikacionin – në muajin e fundit të vitit mbylli për qarkullim rrugën “Xhorxh Bush” dhe paralajmëroi se do ta shndërrojë në shesh të përhershëm dhe se në afatmesëm do ta zgjerojë atë deri tek Rrethi i Flamurit.

Rama u bë objekt talljeje, jo veç për këtë nismë. Qentë endacakë përbënë problem, dhe mes njerëzve që kafshuan ishin edhe tre mjekë. Pas këtij rasti, u bë virale përgjigjja e Ramës: “Është zënë qeni... Ai tani është në mbajtje”. Me tallje është përcjellë edhe projekti prej 12 milionë eurosh për themelimin e “Shërbimit të arkitektit”, ani se vetë Rama është arkitekt.