Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara është shënuar të premten në Prizren me thirrjet për eliminimin e diskriminimit. Aktivistët e shoqërisë civile janë shprehur të pakënaqur me rezultatet në vitin dedikuar këtyre personave. Ndërkaq kryetari i Komunës është zotuar për angazhim të shtuar në përmbushjen e nevojave dhe kërkesave të tyre
Persona me aftësi të kufizuara e aktivistë të shoqërisë civile në Prizren u apeluan autoriteteve lokale dhe atyre qendrore për zbatimin e legjislacionit në fuqi dedikuar kësaj kategorie, me qëllim të përfshirjes së plotë dhe të papenguar të tyre në shoqëri.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Organizata për Persona me Distrofi Muskulore e Kosovës dhe ajo “Ec Ma Ndryshe”, me anë të një performance shprehën të premten nevojën për respektimin e të drejtave të këtyre personave, si dhe për eliminimin e barrierave ekzistuese.
Resmije Rahmani, qytetare që i përket komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, potencoi se diskriminimi ndaj tyre është në rritje.
“Mendoj se personat me aftësi të kufizuara nuk janë pranuar në shoqëri ashtu siç kam shpresuar, siç kemi shpresuar të gjithë. Nuk jemi të pranuar, për fat të keq. Nuk e di arsyen, por diskriminimi ekziston, gjithmonë po më duket shumë më shumë, për fat të keq”, ka thënë Rahmani.
Antigona Shestan, nga Organizata për Persona me Distrofi Muskulore, theksoi se shkalla e vitit 2022, si i personave me aftësi të kufizuara, nuk prodhoi rezultate të pritura për këtë kategori.
“Nuk kemi, nuk jemi të kënaqur dhe për këtë arsye jemi mbledhur sot. Ne nuk festojmë sot, vetëm kemi shënuar këtë ditë, sepse duhet të tregojmë se jemi pjesë e shoqërisë ku nuk i kemi të drejtat e barabarta”, ka thënë Shestani.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, gjatë takimit me anëtarë të shoqatës “Hendikos”, e theksoi nevojën për krijimin e një mendësie që e trajton komunitetin në mënyrë të barabartë.
“Gjithmonë nevojat edhe kërkesat janë më të mëdha sesa mundësitë, mirëpo ne në kontinuitet do të merremi me këtë çështje edhe besoj se kontributi ynë do të jetë në rritje e sipër”, ka thënë Totaj.
Raporti i fundit i Bashkimit Evropian për Kosovën pati konstatuar se personat me aftësi të kufizuara janë ndër më të diskriminuarit në shoqëri, pasi që për ta mungon qasja fizike në infrastrukturë, edukimi cilësor, kujdesi adekuat shëndetësor e social, si dhe mundësitë për punësim.