Situata e rëndë epidemiologjike e shkaktuar nga gripi sezonal, ka bërë që Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ta pezullojë grevën e paralajmëruar për javën që vjen. Ata kanë njoftuar se do të zhvillojnë disa takime me përfaqësues të institucioneve javën që vjen dhe se do të kërkojnë që Ligji i pagave të miratohet dhe t’iu rritet paga për 50 për qind. Për Ligjin për pagat është diskutuar edhe në takimin që të premten kryeministri Albin Kurti e ka zhvilluar me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli
Gripi sezonal, i cili është përhapur në tërë vendin, sipas Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), është arsyeja që i ka shtyrë të marrin vendim për pezullim të grevës.
Greva, nëpërmes së cilës punëtorët shëndetësorë ndër të tjera, kanë kërkuar miratim të Ligjit të pagave, ishte paralajmëruar se do të mbahej më 21 dhjetor.
Ata kanë thënë se vendimi nuk është tërheqje nga greva, por vetëm pezullim i përkohshëm, pasi siç janë shprehur ata “nuk dëshirojmë t’i lëmë pacientët ashtu siç po na lë neve Qeveria”.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, duke u nisur nga situata e rëndë epidemiologjike në vend, duke u nisur nga raportet e ardhura nga QKMF-të, repartet pediatrike të spitaleve dhe Klinikës së Pediatrisë, merr vendim që grevën e përgjithshme të paralajmëruar për datën 21 dhjetor 2021 ta pezullojë deri në një vendim tjetër të Këshillit Drejtues në janar 2022”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.
Federata ka njoftuar se javën e ardhshme do të takohen me ministrin e Shëndetësisë, me anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe se presim takim edhe me kryeministrin Kurti.
Në këto takime ata kanë thënë se do të shpalosin edhe njëherë kërkesën për miratimin e Ligjit të pagave dhe kërkesën për rritje të pagave prej 50% për të gjithë të punësuarit në institucione publike shëndetësore.
Për Ligjin për pagat është diskutuar edhe në takimin që të premten kryeministri Albin Kurti e ka zhvilluar me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli.
Sipas një njoftimi për media të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim Kurti ka thënë se janë duke punuar intensivisht në hartimin e ligjit të ri për paga, i cili thuhet se do të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pagave në sektorin publik.
“Kryeministri Kurti tha se ai mbetet i përkushtuar në fuqizimin e të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të plotë të Ligjit të punës nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inspektuese. Ai po ashtu tha se qeveria është partneri kryesor social për mbrojtjen, realizimin dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së punëtorëve ... Në lidhje me pagën minimale, ai tha se gjatë mandatit të tij, sikurse është zotuar para qytetarëve dhe miratuar në programin qeverisës, ajo do të ngrihet në 250 euro”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në fillim të muajit dhjetor, BSPK-ja në një takim të jashtëzakonshëm kishte marrë vendim për anulim të grevave e protestave, dhe i kanë dhënë afat Qeverisë që deri në muajin mars të vitit që vjen të miratojë Ligjin për paga.