Arbëri

Përplasje verbale në Komisionin mbi emërimin e drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës

Shkak i përplasjeve është bërë deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila nga kryesuesja e bordit të Autoritetit të Konkurrencës, Naime Bunjaku-Isufi, ka kërkuar sqarime lidhur me emërimin e drejtorit Selajdin Beqa, i cili është i dyshuar për sulm fizik ndaj kolegut të tij, Shemsi Elezi

Me akuza dhe me përplasje është përcjellë të martën mbledhja e Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, gjatë së cilës ka qenë e paraparë që të shqyrtohet raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës (AK).

Shkak i përplasjeve është bërë deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila nga kryesuesja e bordit të Autoritetit të Konkurrencës, Naime Bunjaku-Isufi, ka kërkuar sqarime lidhur me emërimin e drejtorit Selajdin Beqa, i cili është i dyshuar për sulm fizik ndaj kolegut të tij, Shemsi Elezi.

“Jemi sot që të përgjigjemi për aktivitetin dhe planet e punës që i kemi realizuar në vitin 2023, për këto janë organet hetimore të cilat do ta japin një epilog përfundimtar”, ka thënë kryesuesja Bunjaku-Isufi, duke iu përgjigjur kërkesës për sqarim të deputetes së LDK-së. 

Por pas kësaj përgjigjeje Bunjaku-Rexhepi ka insistuar që të marrë përgjigje konkrete, tek ka theksuar se është detyrë e saja që të shtrojë pyetje teksa e kryesueses të japë përgjigje. 

“E dimë që janë organet, e dimë që drejtori që ka bërë skandal e ke emëruar drejtor, nuk është e mundur të priten organet kompetente që ta thonë fjalën e tyre, mirëpo me çfarë të drejte e keni emëruar drejtor njeriun që është rrahur me zyrtar... Ka aktakuzë”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Bunjaku-Rexhepi ka insistuar që të marrë informacion nëse për vendimin kryesuesja Bunjaku-Isufi ka pasur konsultim me anëtarët e bordit të Autoritetit të Konkurrencës.

E Zalfije Osdautaj, anëtare e bordit të AK-së që ka marrë pjesë në takimin e së martës me anëtarët e komisionit, ka theksuar se nuk ka pasur konsultime nga kryesuesja e Komisionit. 

“Edhe përkundër që kemi insistuar që të pritet Komisioni i jashtëm, nuk është formuar në bazë të rregullt. Ne kemi qenë kundër, vetëm kur e kemi parë që është bërë drejtor”, ka thënë ajo.

Drejtori i emëruar Beqa, i cili është i dyshuar për sulm ndaj kolegut të tij, ka insistuar që ta merrte fjalën por i është kundërshtuar nga deputetja e LDK-së.

“Inspektori hetues që është pranuar, militanti, e ke vajzën e dajës së kryetarit Abdixhiku... Deputete e ke hap Kutinë e Pandorës, ta kesh parasysh, do t’i shkojmë deri në fund kësaj pune”, ka thënë ai, teksa Bunjaku-Rexhepi e LDK-së kundërshtonte që atij t’i jepej e drejta e fjalës.

Përplasje verbale gjatë mbledhjes ka pasur edhe në mes të Bunjakut-Rexhepit të LDK-së dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Driton Hyseni.

Deputeti Hyseni ka kërkuar që diskutimet të zhvillohen mbi raportin vjetorit të Autoritetit të Konkurrencës. “Thellohu ti në detaje që i dëgjon qoftë kafeve apo skutave që qëndron ti”, i ka thënë Hyseni deputetes Bunjaku-Rexhepi. 

Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Bunjaku-Rexhepit. 

“Kush rrinë skutave? A nuk po të vjen marre, unë nuk rri skutave. Tërhiqe fjalën dhe kërko falje! Ke kujdes çfarë po flet! Nëse ju i mbroni këta të akuzuar, është problemi juaj, kjo është edukata jote që e ke sjellë në Kuvend. Këqyrni gratë e juve ka po rrinë..”, i është përgjigjur ajo.

Pas kësaj polemike diskutimet në takim kanë vazhduar. E kur drejtori i Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa, e ka marrë fjalën, deputetja Bunjaku-Rexhepi e ka lëshuar sallën.