Arbëri

Përplasje pushtet – opozitë në Gjilan shkaku i mostransmetimit ‘live’ të Kuvendit Komunal

Kuvendi Komunal, Gjilan

Pushteti dhe opozita janë përplasur në Gjilan të enjten për shkak të mostransmetimit ‘live’ të mbledhjes së Kuvendit Komunal. Kësisoj, seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit.

Opozita e ka akuzuar pushtetin se me qëllim nuk e ka rinovuar kontratën me operatorin që i transmeton ‘live’ mbledhjet e Kuvendit Komunal, “pasi kishin ardhur të përgatitur për të fyer, ofenduar e eskaluar situatën deri në përplasje fizike me anëtarët e Kuvendit nga opozita, të cilët ishin të përgatitur për ta goditur këtë pushtet, por jo me grushta e ofendime, por me fakte”.

Por Ismajl Kurteshi, asamblist i partisë në pushtet në këtë komunë Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Komuna mund të përdorë edhe aplikacione të tjera për transmetimin ‘live’ të këtyre mbledhjeve.

“Kjo krizë duhet të zgjidhet në bazë të ligjit, duke shtuar se Udhëzimi Administrativ 04/2023, neni 6 thotë se Organet e Komunës janë të obliguara të sigurojnë qasje aktive në përdorimin e sistemit të teleprezencës, me qëllim të krijimit të kushteve për monitorim dhe vlerësim të proceseve për mekanizmat monitoruese të MAPL-së, palëve të interesuara dhe institucioneve tjera në mbledhjet e Kuvendit të Komunës, përmes stafit të autorizuar të komunës. Komuna mund të përdorë aplikacione si live meeting office comunicator apo transmetime direkte në you-tube apo rrjetet sociale për të garantuar publicitet, si dhe çfarëdo platforme të ligjshme për të transmetuar drejtpërdrejtë ngjarjen. Pra UA nuk flet për transmetim të seancave përmes medieve”, ka thënë Kurteshi.

LDK-ja në opozitë ka thënë se pati edhe konfrontime fizike nga anëtarët e pushtetit.

“Për turp ofendimet ndaj anëtareve gra të grupit tonë, të cilat nuk po ndodhin për herë të parë, për turp kërcënimet dhe konfrontimet fizike ndaj shefit të grupit të këshilltarëve të LDK-së, për turp terri informativ të cilin po e shkaktoni për qytetarët e Gjilanit, për turp hezitimi i një kërkim falje pas gjithë asaj ngjarje që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kuvendin Komunal. Më e keqja, për turp që njerëz si ata vazhdojnë të udhëheqin komunën tonë. Njerëz që mendojnë se me dhunë ndalin fjalën e lirë, e nuk kanë guxim të përballen me faktet. Nuk mund të na ndalin, ata vetëm treguan edhe njëherë se kush janë! Mbetemi gardianë të qytetarëve tanë, të pathyeshëm e së bashku deri në fund!”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Opozita në Gjilan ka shumicën në Kuvendin Komunal, pasi PDK-ja u tërhoq nga koalicioni me LVV-në. LDK-ja është partia më e madhe opozitare.