Sindikata e Bashkuar e Arsimit u ka kërkuar mësimdhënësve të mos i nënshkruajnë kontratat e reja të punës, duke i quajtur më të pafavorshme sesa ato ekzistuese. Por në drejtori komunale të arsimit thonë se kontratat nuk ndryshojnë nga ato paraprake. Nënshkrimi i kontratave buron nga ligji
Të gjithë mësimdhënësve që janë në marrëdhënie pune me institucionet publike arsimore u është kërkuar që të nënshkruajnë kontratat e reja të punës.
Ky obligim iu vjen me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë, i cili parasheh nënshkrimin e tyre.
“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, obligohen të gjitha institucionet që të përgatisin dhe t’ju ofrojnë zyrtarëve aktualë për nënshkrim aktet e reja të emërimit, apo kontratat e punës”, thuhet në nenin 102 të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Drejtori i Arsimit në Kaçanik, Zahir Doda, ka thënë se kontratat e reja janë analizuar nga drejtorët komunalë të arsimit dhe janë vlerësuar se nuk ndryshojnë nga ato paraprake.
“Kam arsimtarë që kanë ardhur këtu dhe kanë kërkuar: të lutem më jep formatin e ri të kontratës, sepse po më nevojitet në Ministri ose ku e di ku tjetër dhe është dashur në njëfarë forme me iu lëshu kontrata dhe në momentin që e kam vërejtur aty ku kanë nevojë po i kërkojnë kontratat e reja edhe njëkohësisht prej takimit që kemi pasur me drejtorë dhe për këtë arsye kemi filluar me i ripërtërirë të gjitha kontrata për mësimdhënësit”, ka thënë Doda.
Por ndryshe mendojnë në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit.
Në komunikatën e SBASHK-ut të publikuar të martën është thënë se kontratat e reja janë më të pafavorshme sesa ato ekzistuese. Aty është bërë thirrje që të mos nënshkruhen.
“Versionet që po qarkullojnë e që i ka SBASHK-u janë më të pafavorshme se kontratat ekzistuese dhe nuk janë në përputhshmëri me UA10/2015 për kontratat e punës për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar”, thuhet, ndër të tjera, në reagimin e SBASHK-ut.
Sipas SBASHK-ut, kontratat e reja nuk iu përshtaten specifikave të punës së mësimdhënësve, nuk përcaktojnë normën e orëve mësimore, si dhe pushimin vjetor dhe ditor, e po ashtu nuk janë të përshtatshme për natyrën e punës së tyre.