Ndërhyrjen e Kuvendit në “shpëtim” të ndërmarrjes publike KOSTT e kanë kërkuar disa anëtarë të Bordit. Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, ata janë ankuar për mosrealizim të detyrave e degradim të ndërmarrjes nga kryeshefi. Akuza për anëtarët e bordit kishte edhe udhëheqja e ndërmarrjes
Raportimi i Bordit të Ndërmarrjes Publike të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), në Komisionin për Ekonomi, u përcoll me akuza edhe në mes vetë anëtarëve të tij. Derisa drejtuesit raportonin për punën gjatë vitit të shkuar, dy anëtarë të Bordit shpalosën problemet me të cilat janë përballur e kritikuan për mospërmbylljen e projekteve të parapara.
Fillimisht kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri u ankua për ndërhyrje nga anëtarët në çështje të prokurimit, në telashe me stafin e kërkesa joligjore për raportim nga ta.
“Muajt e fundit ka pasë tendenca për interferime. Këtu jemi me disa prej anëtarëve të Bordit do të thotë z. Zariqi dhe znj. Ajrina të cilët në mënyrë të vazhdueshme janë marrë me çështje të prokurimit më shumë sesa unë shpeshherë ne veçanti në situata të caktuara i kanë informatat ma shpejt sesa zyrtarët”, ka thënë Zeqiri.
Zeqirit i reaguan anëtarët Ajrina Gashi e Nebih Zariqi. Thanë se e kanë përkrahur në vazhdimësi dhe janë në gjendje të japin përgjegjësi për veprimet e tyre, nëse iu kërkohet.
“Asnjëherë të vetme kryeshefit ekzekutiv, Ajrina Gashi-Hamdiu në zyrën e tij për dy vjet sa i bon ky edhe ata që kanë qenë nuk i kam shku në zyrë me i pengu gjatë orarit të punës. Nëse kam kërkuar diçka jashtë ligjit jam e gatshme me dhanë përgjegjësi para cilitdo organ shqyrtues ose ligjor”, ka thënë Gashi.
Kritika kishte edhe Zariqi.
“Ja kemi dhanë përkrahjen maksimale, çdo moment që e ka kërkuar, çdo rregullore që e ka pru, ndoshta edhe kemi gabuar që ia kemi miratuar disa rregullore që i ka keqpërdorë. Dhe filloi bile kohën e fundit në mënyrë shumë të ashpër me luajt një rol thuajse Bordi është joekzistent”, ka thënë ai.
Kryeshefit Evetar Zeqiri dhe kryesuesit të Bordit, Jeton Mehmeti, mes tjerash, deputetët i kërkuan llogari edhe për auditimin e jashtëm që i është bërë ndërmarrjes derisa një proces të tillë e ka realizuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit.
Udhëheqësit e KOSTT-it atë e arsyetuan me obligimet që ka ndaj ZRrE-së, derisa dy anëtarët e bordit, thanë se nuk iu është dhënë hapësira e duhur për dhënien e komenteve për raportin e ZKA-së.
“Nuk e kemi ditur që kemi me u auditu nga ZK-ja, kemi me qenë subjekt për atë arsye e kemi votuar auditorin e jashtëm”, ka thënë Gashi.
E nga anëtari tjetër ankesa kishte edhe për lëvizjet e bëra brenda ndërmarrjes.
“Me marrë drejtorin e IT-së, inxhinierin edhe me qu në burime njerëzore s`ka logjikë fare. Ndërmerrni diçka se KOSTT është më rrezik nga degradimet”, ka deklaruar Nebih Zariqi.
Anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kërkuan nga drejtuesit e anëtarët e Bordit që t`i përcjellin të gjitha dokumentet që posedojnë për shqetësimet e ngritura.
Paraprakisht, nga kryetari i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, teksa bëri prezantimin për punën njëvjeçare tha se janë përballur edhe me telashe të natyrave të ndryshme që nga zgjedhja e tij.
Përmendi detyrimet për pagesat në veri, krizën energjetike e çmimet e larta të saj.
“Jemi përballur njëkohësisht me tre sfida, problemet e brendshme institucionale të shkaktuara nga drejtorët e Bordit të mëparshëm që kanë shkaktuar betejë të ashpër ligjore mes dy ish-kryeshefave ekzekutivë, kriza e pagesave të energjisë në veri, dhe kriza energjetike, këto dy të fundit probleme jashtëzakonisht të mëdha për ndërmarrjet... Po ashtu edhe kërkesa për mbulimin e kostove të shkaktuara edhe në mungesë të orientimeve të qarta nga ZRRE, ku në njërën anë jep përgjegjësinë e balancimit, në anën tjetër nuk të garanton të hyrat dhe pas kësaj na gjobit për çështjet që janë jashtë mundësive tona të veprimit”, ka thënë ai.
Në lidhje me nisjen e furnizimit me energji elektrike nga kompania serbe, Mehmeti ka thënë se është vërejtur ndikimi dhe se tashmë nga KOSTT-i është larguar barra e përgjegjësisë për pjesën veriore.
Kurse, kryeshefi ekzekutiv, Evetar Zeqiri, duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve ka thënë se të hyrat nga tarifat ka qenë 92 milionë, derisa ka thënë se 91 për qind e tyre është shpenzuar.
“Buxheti i të hyrave për vitin 2023, të hyrat nga tarifat ka qenë 92 milionë, është realizuar 83.5 milionë apo 91 për qind. Gjithsej buxheti për të hyrat e tjera ka qenë 28.5 milionë, është realizuar 30.4 milionë, apo 107 për qind. Ndërsa të gjitha të hyrat nga tarifat e tjera operative, gjithsej ka qenë 120.5 milionë, ndërsa është realizuar 114 milionë. Sa i përket projekteve, viti 2023 shënon rreth 48 për qind të realizimit të projekteve kapitale, është përqindja më e lartë në vitet e fundit, numri i projekteve nuk më kujtohet saktë”, tha ai.
Për dallim nga opozita, deputetët e pozitës arsyetonin veprimet e udhëheqjes së ndërmarrjes. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Kosova merret si shembull në menaxhimin e krizës energjetike me koston me të ulët nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.