Zhvillimet e fundit në Serbi lidhur me paralajmërimet për vendosjen e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara ndaj industrisë së naftës “NIS Petroll”, që është pjesërisht në pronësi të Rusisë, kanë ngritur pikëpyetje lidhur me ndikimin në raportet rajonale dhe në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë. Njohës të zhvillimeve politike kanë thënë që në rast se konfirmohet informacioni i zyrtarëve serbë për sanksione ndaj “Nisit”, atëherë administrata e re e presidentit amerikan, Donald Trump, mund t’i rikthehet edhe obligimeve që Kosova e Serbia i patën marrë përsipër me Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit të 2020-s për diversifikimin e burimeve të energjisë
Zhvillimet në Serbi lidhur me paralajmërimet që zyrtarë të këtij shteti i kanë bërë ditë më parë për vendosjen e sanksioneve ndaj “Nis Petrolit” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë kualifikuar me ndikim edhe në rajon dhe në raportet Kosovë-Serbi, kanë thënë njohës të zhvillimeve politike.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ka thënë se sanksione të drejtpërdrejta do t’i vendosen industrisë së naftës të Serbisë e në të cilën pjesë të aksioneve posedon edhe Rusia. Sipas Vuçiqit, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i ka dhënë Serbisë 30 ditë afat për ta gjetur zgjidhje alternative dhe se një vendim përfundimtar do të merret deri më 15 mars.
Vuçiqi ka theksuar se diskutimet me administratën e re amerikane, me presidentin Donald Trump në krye, do të vazhdojnë nëpërmjet ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.
“Ata do të na japin 30 ditë për të parë opsionet dhe për të filluar veprimet dhe për 60 ditë ne duhet të përfundojmë procesin. Ata do ta shpallin zyrtarisht atë vendim para datës 15, kështu që ne duhet të dimë se çfarë do të bëjmë para 15 shkurtit”, ka thënë Vuçiqi teksa ka ngritur dyshime se kjo është një tjetër përpjekje për të destabilizuar Serbinë.
Por analisti politik në Serbi, Ognjen Gogiq, ka thënë se është e paqartë nëse SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj “Nis Petrolit”, teksa ka shprehur dyshime se deklarata e Vuçiqit mund të jetë bërë për ta larguar vëmendjen nga protestat e fundit që po ndodhin në Serbi.
“Është një temë paksa e çuditshme, sepse ne kemi dëgjuar për ato sanksione vetëm nga presidenti Vuçiq, askush tjetër nuk ka thënë gjë për këtë. Askush nga SHBA-ja nuk e ka konfirmuar ndonjëherë se këto sanksione do të vendosen. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Hill, u pyet, por nuk pranoi të komentojë, dhe në fakt, edhe në një moment, tha se nuk ka diskutime për sanksione. Po ashtu nga Departamenti i Shtetit, u përgjigjën vetëm shkurt se nuk ishin në gjendje të komentojnë për këtë”, ka theksuar Gogiq. “Në fakt është një pikëpyetje e madhe për ne, nëse kjo është e vërtetë apo është diçka e sajuar nga presidenti Vuçiq, sepse ai po përdor taktika të ndryshme për të larguar vëmendjen nga protestat, për faktin se ato protesta në Serbi po krijojnë vërtet trazira, të cilat ai nuk mund t'i kontrollojë. Kështu që ai vjen me histori të ndryshme në mënyrë që të përpiqet ta tërheqë vëmendjen nga protestat dhe gjithashtu të nxisë mbështetjen për të duke thënë se vendi është në rrezik. Edhe po të supozohet se, kjo është e vërtetë, është e çuditshme se cila administratë dëshiron në të vërtetë të vendosë sanksione, nëse kjo është administrata në largim e Biden, dhe atëherë pyetja do të ishte, pse do ta bënte ai këtë?”, ka thënë Gogiq.
Sipas tij, edhe në rast se sanksionet vendosen tani mbetet e paqartë si do të veprojë presidenti Trump, i cili është i interesuar që të mos i përshkallëzojë raportet me Rusinë në përpjekjen për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Është situatë shumë konfuze. Është konfuze, sepse ne e dimë se Trumpi dëshiron të bëjë një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe ai nuk duket se është i prirë për përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës me rusët. Pra, është e çuditshëm që ai do të konsideronte sanksione. Por e vetmja gjë që në fakt mund të vijë si shpjegim është se Trump në fakt këmbëngul që të gjithë partnerët e SHBA-së, të blejnë naftën e tyre dhe gjithashtu gazin natyror të lëngshëm”, ka potencuar ai.
Lidhur me implikimet që mund t’i kenë këto sanksione në raportet me rajonin dhe me Kosovën, Gogiq ka theksuar se administrata në ardhje e Trumpit mund të kërkojë zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, të arritur më 4 shtator të vitit 2020.
“Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, implikimi i vetëm që shoh është se në Marrëveshjen e Washingtonit nga viti 2020 ka një dispozitë, e cila përcaktonte se edhe Serbia e edhe Kosova duhet t’i diversifikojnë burimet e energjisë dhe të fillojnë të importojnë dhe blejnë gaz natyror të lëngshëm. Pra, administrata e kaluar e Trump priste që në fakt Serbia dhe Kosova të fillonin t'i blinin ato produkte. Kështu që unë mendoj se në fakt ky është implikimi i vetëm që shoh dhe është diçka për të cilën do të dëgjojmë më shumë në javët në vijim”, ka theksuar ai.
Nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas Gogiqit, Kroacia ka qenë më e zëshmja me gjithë situatën dhe se për këtë ka një arsye.
“Në fillim ishte për habi pse ky interesim, por më mësova se në të vërtetë ekziston një lloj rruge tranziti që furnizon me e cila shkon nga Kroacia në Serbi dhe se kompania kroate mund të ndikohet drejtpërdrejt nga e gjithë kjo. Pra, kroatët, por edhe vendet e tjera evropiane në fakt janë më të shqetësuara për atë që po ndodh në Serbi, pasi në fakt do të ndikojë në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Pra ky është implikimi rajonal”, ka thënë ai. “Nuk jam i sigurt nëse kjo do të ketë ndonjë ndikim në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sepse kjo nuk është, ende një presion për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Në fakt nuk ka sanksione për kompaninë në pronësi të rusëve e cila në fakt siguron disa të ardhura që rusët po përdorin për të financuar luftën. Pra, nuk është një kërkesë e SHBA-së ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Por unë, siç thashë tashmë, mendoj se amerikanët, qofshin njerëzit e Bidenit apo administrata e Trumpit, do të donin të shihnin Serbinë dhe vendet e tjera duke blerë më shumë burime amerikane”.
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka komentuar mbi deklaratën e fundit të presidentit të Serbisë se SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak se shumica e pronësisë së saj është e Rusisë. Në DASH kanë thënë se nuk mund t’i komentojnë bisedat private diplomatike dhe se nuk i paragjykojnë sanksionet.