Nëpërmjet një peticioni online studentët e Universitetit të Prishtinës po kërkojnë rifillimin e ligjëratave me prani fizike në fakultete. Kjo, meqë po konsiderojnë se mësimi online nuk po ka efekt. Në Rektorat thonë se deri në një rekomandim tjetër të IKSHP-së, ligjëratat do të vazhdojnë të mbahen online, kurse praktika dhe provimet në fakultete. Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja nuk kanë treguar nëse ka gjasa të realizohet kërkesa e studentëve
Prishtinë, 19 janar - Ligjëratat online studentët nuk po i konsiderojnë efektive. Për këtë arsye studentët e Universitetit të Prishtinës po kërkojnë që nga muaji shkurt, kur nis semestri i dytë, të rikthehen në fakultete.
Përmes një peticioni online studentët e organizatës “Reforma” ju kanë bërë thirrje institucioneve që të realizohet kërkesa e tyre dhe ajo të vlejë për të gjitha institucionet e arsimit të lartë.
“Me nënshkrimin e këtij peticioni ne si individë deklarojmë se dëshirojmë rifillimin e mësimit fizik në Universitet dhe kërkojmë nga organet kompetente që në të njëjtën formë siç janë organizuar kushtet për lehtësimin e masave për shtresat e tjera të shoqërisë, të organizohen edhe për studentët”, thuhet në peticion.
Nënkryetari i Parlamentit Studentor, Fatlind Azizi, ka deklaruar se kanë pranuar kërkesa të shumta të studentëve që nga muaji tjetër ligjëratat t’i mbajnë në fakultete.
“Ne besojmë se fizikisht ka një cilësi më të lartë të arsimit dhe neve më së shumti na vjen keq për studentët e vitit të parë të cilët nuk kanë arritur të vijnë fizikisht prandaj konsiderojmë që mësimi fizik është shumë më efikas sesa ai online”, ka thënë ai.
Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, Mimoza Ibrani, ka thënë se Universiteti do t’i respektojë rekomandimet e IKSHP-së derisa ka përmendur disa sfida nëse gjatë kësaj kohe kthehen në fakultete. Synim parësor i UP-së, sipas saj, është ruajtja e shëndetit të studentëve, stafit akademik e atij administrativ.
“Kemi pasur humbje të personelit akademik dhe gjithmonë duhet të mendojmë edhe për ruajtjen e shëndetit si diçka primare, ndërsa sfidat kryesore që i shohim nëse do të vinin rekomandime të IKSHP-së është mungesa e mjaftueshme e infrastrukturës për kokë studenti, ndarja e grupeve, sigurimi i personelit akademik për numër të madh të grupeve e për ligjërata dhe ushtrime”, është shprehur Ibrani.
Stafi i UP-së, sipas saj, është kontraktuar për vitin akademik 2020-2021 prandaj konsideron se do të shfaqeshin telashe të natyrave të ndryshme për ta realizuar si duhet semestrin.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në nëse do të shqyrtohet kërkesa e studentëve të UP-së, por asnjëra nga këto institucione nuk është përgjigjur.
Që nga marsi i kaluar, kur nisi pandemia, institucionet e arsimit të lartë ligjëratat i kanë mbajtur online.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, ligjëratat do të vazhdojnë të mbahen në këtë formë, kurse puna praktike dhe provimet do të realizohen në fakultete.