Rreth 1.700 nxënës më pak ka sivjet në shkolla profesionale, krahasuar me vitin paraprak.
Kjo ka bërë që Ministria e Arsimit të nxjerrë një udhëzues administrativ për t’i stimuluar nxënësit të regjistrohen në këto shkolla në drejtimet deficitare, dhe vajzat e gratë në drejtime teknike. Sipas dokumentit, të gjithë nxënësit e këtyre institucioneve që përfundojnë shkollimin e mesëm të ulët dhe i plotësojnë disa kritere mund të fitojnë bursë 3-vjeçare.
Drejtori i shkollës profesionale “Gjin Gazulli”, Bujar Gjocaj, thotë se arsimi profesional është baza e një shteti, por që institucionet e kanë lënë anash. Sipas tij, për t’u përmirësuar gjendja në këto shkolla, duhet bashkëpunim mes Ministrisë, drejtorive komunale, shkollave dhe bizneseve.
“Shkollat profesionale kanë ngecje së paku te plan-programet, te tekstet shkollore edhe prej fillimit qasja ka qenë shumë e gabuar. Janë trajnuar profesorët e teknologjia nuk ka pasur zbatim, sa të dush trajnoje stafin kur nuk kanë me u zbatuar ato, ajo është edhe shpenzim i pareve. E vetmja rrugë është trajnimi i stafit bashkë me nxënës dhe me kompanitë vendore qofshin prodhuese qofshin ekzekutuese, kjo i forcon shkollat profesionale”, thotë ai.
E Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard”, vlerëson se shkollat profesionale deri tash më shumë janë përkrahur nga donatorët e huaj, sesa nga institucionet shtetërore.
“Kjo pastaj ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësi të asaj që ofrohet nga të gjitha shkollat profesionale. Besojmë që një strategji më e qëndrueshme e investimeve kapitale dhe investimeve operacionale në këto shkolla do të kontribuonte që të rritet interesimi i nxënësve për këto profile”, shpjegon Qehaja.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në vitin shkollor 2019/2020, në arsimin dhe aftësimin profesional kanë qenë 40.817 nxënës, ndërsa këtë vit shkollor janë 39.141 nxënës.
Në një përgjigje me shkrim, MASH-i ka thënë se qëllimi i tyre është që nxënësit përmes këtyre drejtimeve të inkuadrohen më lehtë në punë, por edhe synojnë që të ndryshojë mendësia se drejtimet teknike janë vetëm për djem.
“Që në familje fëmijët rriten në frymën e një gjimnazi, studimi universitar e më tej përderisa shkollat profesionale synim kanë tregun e punës dhe përgatitjen e nxënësve për këtë treg, i cili fatkeqësisht nuk ka kapacitet t’i përfshijë të gjithë ata që përfundojnë AP. Po të ofronin bizneset me shumë mundësi për praktikë profesionale dhe t’ua bënin shkollimin më atraktiv këtyre nxënësve/ kandidatëve me siguri se edhe interesimi do të ishte më i madh”, thuhet në përgjigje.
KOHA ka raportuar më herët për kushtet e rënda në shkollat profesionale në Kosovë dhe problemet me mungesën e teksteve e punës praktike.