Llogaritë e stacionit janë bllokuar nga përmbaruesit e punëtorët po paguhen me kesh. E gjithë kjo pas padisë së ish-drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, Fehmi Hajrullahu
Tash e disa muaj, Stacionit të autobusëve në Ferizaj i janë bllokuar xhirollogaritë bankare nga përmbaruesit.
Bllokimi është bërë me vendim të Gjykatës, i cili e obligon këtë kompani t’ia paguajë rreth 54 mijë euro ish-drejtorit të Fehmi Hajrullahu, i shkarkuar nga bordi i aksionarëve më 2014.
Hajrullahu pas pesë vjetësh ishte kthyer në punë, por vetëm si kontrollor i biletave të autobusëve. Ai është ankuar se vendimi i gjykatës për pagesë të mjeteve për rreth pesë vjet sa ishte i papunë, nuk po zbatohet.
“Më 18.04.2023 kam marrë vendimin përfundimtar të gjykatës së apelit me të cilin obligohet Stacioni i autobusëve të bën kompensimin pagave për kohën që nuk isha në punë. Prej datës 11.07.2023 kjo organizatë e ka të bllokuar nga përmbaruesi xhirollogarinë mirëpo për të mos e paguar obligimin ligjor drejtoresha po punon me mjete kesh”, ka thënë Hajrullahu.
Albulenë Qalaj, drejtoreshë e stacionit të autobusëve, ka thënë se ekziston vullneti i menaxhmentit për ta zbatuar vendimin, por se ndërmarrja po përballet me krizë financiare.
“Ky problem është i mëhershëm i vitit 2014 dhe ne si menaxhment nuk e kontestojmë vendimin e gjykatës dhe e kemi paraqitur në Kuvendin Komunal ku edhe është përkrahur dhe është votuar për një subvencion pasi që kushtet në stacion janë shumë të dobëta për ta marrë atë shumë të vendimit të gjykatës dhe është në proces të përfundoi tash”, u shpreh Qalaj.
Nga Drejtoria për Financa në Komunën e Ferizajt kanë thënë se vendimi për të subvencionuar stacionin e autobusëve është marrë në gusht.
E në Institutin e Kosovës për Drejtësi kanë thënë se vendimet e gjykatës duhet të zbatohen.
“Në rastin kur kemi të bëjmë me mosrespektim të një vendimi apo mosekzekutimin e një vendimi nga personat zyrtarë atëherë, kjo përbën vepër penale në vete dhe është e dënueshme varësisht prej rrethanave të cilat është, por mund të jetë edhe me burgim prej 2 apo 5 vjet, varësisht prej paragrafit ku bie si vepër penale e cila do të duhej të hetohet dhe të vërtetohet deri në formën e vetë që është kryer”, ka deklaruar Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në IKD.
Ish-drejtori Hajrullahu ka bërë me dije se do të bëjë padi edhe për moszbatim të vendimit të gjykatës.