Sportelet ku paguhet tatimi në pronë gjatë 2020-s nuk u vizituan nga pejanët aq sa shpresonte Komuna e Pejës.
Kjo komunë, shkaku i pandemisë, kishte arkëtuar vetëm 1.5 milionë euro nga mbi dy milionë sa planifikonte prej të hyrave nga tatimi në pronë.
Shkaku i situatës epidemiologjike, ndaj tatimpaguesve nuk ishin angazhuar përmbaruesit për shlyerjen e borxheve, ashtu siç ishte rasti gjatë 2018-s e 2019-s, kur përmes përmbaruesve ishte arkëtuar borxh në shumë prej gjysmë milioni eurosh.
E, një masë të tillë komuna nuk përjashton ta zbatojë sivjet.
“Ne e kemi edhe obligim ligjor, se me kodin e ri penal edhe mosveprimi është vepër penale. Kështu që, të shohim si do të jetë ndikimi i pandemisë në ekonomi. Ne do të detyrohemi që t’i përdorim gjithë mekanizmat, përfshirë edhe përmbarimin”, ka thënë Jeton Abazaj, drejtor i Financave.
Arkëtimin e borxhit përmes përmbaruesve, Abazaj e arsyeton me borxhin prej 11 milionë eurosh, i akumuluar prej vitit 2002 e deri më tani, që ia kanë Komunës qytetarët dhe bizneset e Pejës, por edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.
E, qytetarët e konsiderojnë të padrejtë detyrimin për shlyerje borxhesh gjatë pandemisë.
“Ka qenë e arsyeshme që shteti si shtet të intervenojë, për arsye se më së tepërmi është dëmtuar një pjesë e popullatës së shtresës së ulët”, ka thënë Adem Tahiri, një qytetar i Pejës.
Rreth borxheve për tatim në pronë, KOHA ka kontaktuar edhe disa biznese në Pejë, por ato kanë refuzuar të flasin para kamerës. Prapa saj janë ankuar se pandemia u ka shkaktuar dëme të mëdha.
Komuna nuk ka të dhëna se sa dëme u ka shkaktuar pandemia bizneseve në Pejë. Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxhiri, e ka pranuar se komuna ende nuk ka bërë një hulumtim të tillë.