Përfaqësues të institucioneve nga Kosova e Shkupi përkujtuan dëbimin e afro 450 mijë shqiptarëve nëpërmjet Bllacës, fshat në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut. Gjatë homazheve në kompleksin memorial “Bllaca ‘99”, pjesëmarrësit kujtuan dramën tragjike të prillit të vitit 1999 dhe falënderuan banorët e Shkupit dhe të lokaliteteve të tjera për mbështetjen dhe strehimin e refugjatëve
Në përkujtim të 25-vjetorit të dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga forcat ushtarake e policore serbe, përfaqësues të institucioneve nga Kosova e Shkupi të hënën bënë homazhe pranë Qendrës Përkujtimore në Bllacë. Në këtë ceremoni u kujtua prilli i vitit 1999, kur afro 450 mijë civilë u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre. Shumica e tyre u deportuan nëpërmjet Bllacës, vendbanim në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Hasani, tha se ky vend ruan kujtimet për vuajtjet që shqiptarëve ua shkaktuan forcat serbe.
“Ideja jonë ishte dhe mbetet që Bllaca të shndërrohet në vetë pelegrinazh për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat. Me këtë ide i dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve, por shprehim edhe një protestë dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë”, tha Hasani.
”Për 78 ditë me radhë sa zgjaten bombardimet e NATOS-s, forcat serbe kryen vrasje në masë, plaçkitën, dëbuan dhe maltretuan në forma të ndryshme popullsinë civile shqiptare. Me të njëjtin fat u përballen të gjithë ata që e përjetuan Eksodin e Bllacës. Në historinë më të re të Kosovës, Bllaca mbetet ndër përjetimet dhe kujtimet më të trishta dhe të errëta të cilat i përjetoi populli shqiptar i Kosovës”, tha Teuta Shala, drejtoreshë e Institutit “Ali Hadri”.
Në këtë përvjetor, nga pjesëmarrësit u tha se Bllaca duhet të shërbejë edhe për promovimin e paqes.
“Puna jonë ka për qëllim jo vetëm të sjell drejtësi për viktimat ose ta ndihmoi sjelljen e drejtësisë për viktimat, por edhe të edukoi brezat e ardhshëm për rëndësinë e paqes së qëndrueshme dhe respektit ndaj të drejtave të njeriut”, tha Atdhe Hetemi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Vigan Qorrolli, zv.ministër i Drejtësisë ka treguar për shifrën e afro një milion shqiptarëve që u dëbuan nga Kosova gjatë luftës, prej tyre 450 mijë nëpërmjet Bllacës.
“Ditët më të rënda për jetën e njeriut ishin pikërisht këto përjetime ferri sepse qindra e mijëra njerëz u deshtë të kalojnë netët nën qiellin e hapur, nëpër mot të ligë e në mungesë të ushqimeve. Fatkeqësisht pati dhjetëra vdekje, fëmijë e pleq të cilët sot në Hanin e Elezit i kujtojnë me shumë mall dhe krenari”, tha Qorrolli.
Drejtuesit e institucioneve nga Kosova, falënderuan përfaqësuesit e Shkupit dhe qyteteve tjera të Maqedonisë të banuara më shqiptarë për mbështetjen dhe strehimin e refugjatëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.