Arbëri

Përkujtohen dëshmorët që ranë në Prishtinë dy ditë pas hyrjes së UÇK-së

Në 25-vjetorin e rënies së katër dëshmorëve në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, u mbajt akademi përkujtimore. Në këtë ngjarje, familjarë e pjesëmarrës vlerësuan jetën dhe veprën e tyre

 Në 25 vjetorin e rënies së katër dëshmorëve, Nezir Gashi, Arianit Berisha, Venet Bajramaj e Uran Ajeti, të shtunën është mbajtur akademi përkujtimore, në Prishtinë.

Familjar e bashkëluftëtare të dëshmorëve u bënë bashkë për të përkujtuar, jetën dhe veprën e luftetarëve të UÇK-së, që u vranë në përballje me serbët, në Lagjen Bregu i Diellit, në kryeqytet.

“Kujtoj ditën e trishtueshme, kujtoj tre djemtë dhe axhin Nezir në një ditë lirie. Teksa prisnim t’i gëzoheshim lirisë, atë ditë guximi kishte mbushur frikën, atë ditë djemtë tanë ishin një me njëri-tjetrin, synimi për të arritur qëllimin më fisnik human, mbrojtjen e njëri-tjetrit, kishte kapërcyer çdo barrierë, kishte ngadhënjyer në dorën e pamëshirshme të armikut”, ka thënë Agrora Berisha-Bicaj, familjare e dëshmorit Arianit Berisha.

“Me gjithë luftën e madhe që e bënë këta trima, aty u mbetën dëshmorë Arianit Berisha, Venet Bajramaj e Uran Ajeti, e pas një jave baci Nezir Gashi. Këtu ju kishte hije gjaku në kraharor si lule në Dardani”, ka thënë në anën tjetër Sokol Halili, familjar i Nezir Gashit.

Kontributin e dëshmorëve për lirinë e Kosovës, e vlerësoi lartë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj.

“Është ditë e dhimbjes, por e kujtojmë atë të krenarisë. Ditë e dhimbjes sepse në çlirimin e vendit nga pushtuesi shekullor, kur mendohej se krimet e vrasjet për popullin tonë i kishte ardhur fundi, në këto ditë vriten Neziri, Arianiti, Veneti e Urani, nga ata që nuk mund ta përballonin humbjen e tyre, e lirinë e tjetrit”, ka thënë Zemaj.

Dëshmorët, Nezir Gashi, Arianit Berisha, Venet Bajramaj dhe Uran Ajeti, u vranë 25 vjet më parë nga forcat serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.