Arbëri

Përjashtohet themelimi i Asociacionit pas tensioneve në Bosnjë-Hercegovinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas tensioneve të fundit në Bosnjë-Hercegovinë duke thënë se Kosova nuk do ta përsërisë gabimin e njëjtë, me themelimin e një Asociacioni. Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagimin e Qeverisë serbe, e cila ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Brukselit për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015. Përfaqësues të shoqërisë civile e shohin të vështirë shmangien e temës, për të cilën insistojnë edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian

Tensionet e ngritura në Bosnjë-Hercegovinë kanë aktivizuar zyrtarët e Kosovës duke iu rikthyer deklaratave kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Pas ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, edhe kryeministri, Albin Kurti, ka thënë për mediat ndërkombëtare se nuk do të lejojë bosnjëzimin e vendit. Ai ka tërhequr paralele me mekanizmin, që u ishte mundësuar serbëve të Bosnjës.

“Kur Asociacioni nuk u implementua, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi. Ishte Beogradi që u zemërua. Në vitin 1991, më 26 prill, 14 Komuna me Shumicë Serbe në Bosnjë-Hercegovinë u bënë bashkë e krijuan Asociacionin. Më 9 janar 1992 e shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992 e bënë Kushtetutën e tyre, më 14 dhjetor 1995 në Dejton arritën njohjen ndërkombëtare”, ka thënë Kurti në një intervistë për BBC-në. “Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri. Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Jam i bindur se me programin tonë do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse pyesni serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre kryesore, ata thonë punësimi dhe drejtësia. Beogradi dëshiron të ketë shtet brenda një shteti. Shtetin e Serbisë brenda Kosovës së pavarur”, ka thënë Kurti.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Qeverisë së Serbisë, që ka kërkuar ndërhyrjen e Brukselit.

“Asociacioni i Komunave për serbët në Kosovë dhe Metohi ka të njëjtën rëndësi si marrëveshja e Dejtonit për serbët në Bosnjë-Hercegovinë dhe për këtë arsye sot dëgjojmë Albin Kurtin t’i sulmojë hapur serbët gjithandej Drinit. Mesazhet e tij se në Kosovë dhe Metohi nuk do të lejohet “bosnjëzimi” apo formimi i Asociacionit të Komunave Serbe nuk mund të kuptohen ndryshe përveç si kërcënim i hapur ndaj popullit serb në krahinë, si dhe mosrespekt i Kurtit ndaj dialogut Beograd-Prishtinë”, ka thënë Petkoviq. “Këtë kërcënim të fundit dhe shumë të rrezikshëm të Kurtit duhet ta lexojë me kujdes Bashkimi Evropian, të cilin e lusim të reagojë, pasi pikërisht përfaqësuesi i saj është garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura”.

Së fundi, edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë thënë se Asociacioni nuk do të themelohet.

Por pas rinisjes së dialogut Qeveria nuk ua kishte shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë. Pas takimeve të fundit patën thënë se çështjen e Asociacionit e marrin seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele, të cilat i mban gjallë në fushën politike, të arsimit, ekonomisë e shëndetësisë.

Ndërkaq përfaqësues të shoqërisë civile thonë se mënjanimi i kësaj teme nga Kosova do të varet prej dinamikës që do të ketë dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli. Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë se marrëveshja për themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive është një nga çështjet më delikate dhe më komplekse në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Sa do të jetë e mundshme që të mënjanohet kjo temë apo themelimi i saj është vështirë të paragjykohet tash dhe të jepet një përgjigje definitive marrë parasysh dinamikat në dialogun Kosovë-Serbi, që shpesh kanë ditur të jenë befasuese. Kemi pasur ndërrime të mëdha sa i përket vazhdimit të dialogut, qëndrimeve apo ndërhyrjeve të ndonjë akteri apo partneri të jashtëm strategjik, që ka mundur ta ndryshojë edhe dinamikën e dialogut Kosovë-Serbi. Konsiderojmë se deklaratat e fundit të kryeministrit janë të pritshme dhe vazhdimësi e asaj që thotë tani i gjithë spektri politik pa dallim. Pavarësisht se marrëveshja është nënshkruar nga qeveritë e kaluara apo partitë politike që kanë qenë pjesë e qeverisë, tani asnjëra prej tyre nuk dëshiron ta pranojë Asociacionin me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Fetahu. Sipas tij, Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk duhet të pranohet nga Qeveria e Kosovës.

“Gjithsesi duhet të tentohet që kjo temë të shtyhet për në fund, nëse kjo është e mundshme të bëhet. Gjithashtu një parim që është përmendur edhe në të kaluarën mund të aplikohet, pra të mos merremi vesh për asgjë, derisa të merremi vesh për gjithçka, në mënyrë që dialogu ta ruajë veten nga ndërhyrja e marrëveshjes për Asociacion dhe të shoshiten të gjitha temat deri të arrihet në fund”, ka potencuar Fetahu.

Pas marrëveshjes që i dha fund bllokadës disaditore në veriun e Kosovës, emisari i dialogut Miroslav Lajçak tha se Asociacioni është tema së cilës i duhet dhënë zgjidhje. Kurse gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd, ai e bëri të qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Në lidhje me deklaratat e fundit të kryeministrit, “Koha” ka pyetur zyrën e emisarit Lajçak, por ka munguar përgjigjja. Por gjatë një konference për media të mërkurën ka thënë se janë të fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale në Bosnjë-Hercegovinë.

“Situata në Bosnjë-Hercegovinë po shkakton shqetësim të madh në BE dhe kjo është në qendër të aktiviteteve tona diplomatike”, ka thënë Peter Stano, zëdhënësi i zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell. Ai ka shtuar se përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së vizituan së bashku BeH javën e kaluar, për të theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën aktuale në vend.

Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, ka kërcënuar me tërheqje nga institucionet e nivelit shtetëror, përfshirë ushtrinë kombëtare të ndërtuar me ndihmën ndërkombëtare, duke paralajmëruar rindërtimin e një force serbe.

Më 14 tetor, Dodik tha se do të detyronte ushtrinë boshnjake të tërhiqej nga Republika Serbe duke rrethuar kazermat e saj dhe se nëse perëndimi do të përpiqej të ndërhynte ushtarakisht, sipas tij, kanë “miq që mbështesin kauzën serbe”, një referencë e supozuar për Serbinë dhe Rusinë.