Një komision i Universitetit të Prishtinës ka vendosur t’ua ndalojë kandidimin për dekan profesorëve që i kanë ushtruar dy mandate më herët. Kjo, pavarësisht se Statuti i Universitetit nuk e bën një ndalesë të tillë. Neni 68 i Statutit flet vetëm për rizgjedhjen e njëpasnjëshme.
“Dekanët dhe prodekanët zgjidhen nga Këshilli i njësisë akademike me shumicën absolute të votave dhe i propozon Senatit për miratim për një periudhë katërvjeçare, nga radha e profesorëve të fakultetit përkatës, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat”, thekson pika një e këtij neni, raporton KOHA.
Pak ditë para se fakultetet të organizojnë procesin e zgjedhjes, Komisioni statutar i UP-së e ka interpretuar kësisoj Statutin teksa i është përgjigjur dy pyetjeve të Komisionit Qendror zgjedhor të UP-së.
“Dekani mund të zgjidhet vetëm për dy mandate. Sipas Komisionit statutar, rizgjedhja e dekanit nuk është domosdoshmërisht e njëpasnjëshme, por kurdo që rizgjedhja të ndodhë ajo kufizohet me vetëm një mandat plotësues”, thuhet në përgjigjet e Komisionit statutar drejtuar KQZ-së së UP-së.
Në UP ka praktika kur një profesor ka qenë 3 mandate dekan. Udhëheqja e fakultetit është bërë dy mandate të njëpasnjëshme dhe pas pauzës prej një mandati është zgjedhur sërish.
Zgjedhja e dekanëve të fakulteteve në UP do të bëhet të enjten, ndërkaq për mendimin e Komisionit statutar kandidatët janë njoftuar një ditë më parë nga KQZ e UP-së përmes një emaili.
Sipas kandidatit për dekan në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Ajvaz Berisha, mendimi i Komisionit statuar është në kundërshtim me Statutin e Universitetit, derisa shton se qëllimshëm po tentojnë ta eliminojnë nga gara. Ai ka qenë dekan 2 mandate dhe ka pauzuar 8 vjet e gjysmë. Në zgjedhjet e përgjithshme të UP-së këtë vit ka aplikuar sërish, meqë thotë se Statuti nuk ia ndalon kandidimin.
Berisha ka bërë ankesë në UP dhe tek Avokati i Popullit për shkelje të të drejtave të njeriut. Po ashtu, ka paralajmëruar padi nëse tentohet të pengohet zgjedhja e tij si dekan në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.
Kryesuesi i KQZ-së në UP, Florent Muçaj, ka thënë se ata vetëm kanë kërkuar mendim nga Komisioni statutar rreth zgjedhjes së dekanëve dhe se mendimi i Komisionit nuk është përgjegjësi e tyre.
E Komisioni statutar i UP-së nuk është përgjigjur rreth interpretimit se dekanët e njësive akademike, që kanë ushtruar dy mandate nuk kanë të drejtë të rizgjidhen në këtë pozitë.
Zgjedhjet në UP kanë nisur tash e disa ditë. Të enjten zgjidhen dekanët e fakulteteve dhe po atë ditë hapet konkursi për rektor të UP-së.