Arbëri

Përgjigje kryetarit Fejk

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, shfrytëzoi konferencën për gazetarë që e thirri vetë për të lansuar edhe një lajm të rrejshëm - “fejk njuz”, si e quan ai - duke sulmuar “Kohën Ditore” dhe gazetarin e saj, si dhe gjithë mediat e Grupit KOHA.

I pyetur nga gazetari rreth opsioneve për ndryshimin e kufijve, që vazhdimisht po përmenden e debatohen posaçërisht prej tij, Thaçi u kundërpërgjigj duke thënë se ai nuk flet në emër të Vuçiqit, “sikur që flisni ju… dhe mediumi juaj”.

Kjo, natyrisht, është një gënjeshtër e plotë - “fejk njuz”.

Dhe, një shpifje të tillë ne e konsiderojmë si sulm të papranueshëm dhe të dënueshëm jo vetëm ndaj “Kohës”, por edhe ndaj gjithë gazetarisë së lirë e të pavarur në Kosovë. Sepse, duke na sulmuar ne, Thaçi sulmoi gjithë gazetarinë kosovare që ka guxim të shtrojë pyetje të pakëndshme. Me këtë “goditje” ai mbase synon t’ua mbyllë gojën kritikëve dhe atyre që refuzojnë të kënaqen me postimet e tij në Facebook.

Sigurisht nuk është hera e parë që z. Thaçi reagon kështu ndaj atyre që e kritikojnë apo që guxojnë t’i vënë në pikëpyetje pohimet dhe pretendimet e tij, sado të paqëndrueshme të jenë ato. Këto ditë jemi dëshmitarë të nivelit të ulët të reagimeve që ka ky njeri ndaj atyre që nuk pajtohen me “idetë” manipuluese që lanson vazhdimisht.

Por, në këtë rast, politikani Thaçi në mënyrë perfide dhe me fjalorin e tij fyes e përçmues përveçse çnderoi institucionin e presidentit të vendit dhe idenë kushtetuese se kreu i shtetit përfaqëson unitetin e popullit, me gënjeshtrat e lëshuara se gjoja ne gazetarët dhe mediat e Grupit KOHA flasim në emër të Vuçiqit, na mori në shënjestër, me çka, përveç fyerjes dhe akuzave të paqëndrueshme, edhe na rrezikon të gjithë ne.

Për këtë arsye jemi të detyruar që të kundërpërgjigjemi me masat që kemi ne në dispozicion:

- Mediat e Grupit KOHA ndërpresin çdo komunikim zyrtar me presidentin dhe zyrën e tij, deri në momentin kur ai nuk i tërheq fjalët e thëna publikisht dhe të na kërkojë falje për akuzën se “flasim në emër të Vuçiqit”.

- Mediat e Grupit Koha nuk do të publikojnë intervista, komente, deklarime në mediat e tjera dhe në rrjetet sociale të presidentit apo përfaqësuesve të zyrës së tij, deri në momentin kur ai nuk i tërheq fjalët e thëna publikisht dhe të na kërkojë falje për akuzën e bërë sot.

- Mediat e Grupit Koha do të vazhdojnë të përcjellin agjendën e presidentit dhe zyrtarëve të Presidencës, dhe do të publikojnë raporte nga këto ngjarje sa herë që vlerësojmë se një gjë e tillë është në interes të publikut dhe të së vërtetës.

- Mediat e Grupit Koha, duke e konsideruar prioritet më të lartë të drejtën e publikut që të jetë i informuar saktë dhe me kohë, do të vazhdojë të bëjë hulumtime që kanë të bëjnë me punën dhe veprimet e presidentit dhe zyrës së tij, si në kontekstin e krizës politike të krijuar nga dialogu i Brukselit, ashtu edhe në kontekstin e gjerë të fushëveprimit të tij dhe zyrës së tij.

- Mediat e Grupit Koha, duke vazhduar me këmbëngule të respektojnë standardet e profesionalizmit, do të kërkojnë përgjigje nga Zyra e presidentit për çdo informatë që do të arrijmë e që lidhet me punën dhe veprimet e presidentit dhe zyrës së tij.

- Mediat e Grupit Koha do të vazhdojnë me këmbëngulje të insistojnë në zbardhjen e çdo sekreti, paqartësie, manipulimi politik, veprimi e mosveprimi, nga ana e presidentit dhe zyrës së tij, sikur edhe nga të gjitha institucionet e shtetit dhe politikës, që kanë relevancë për qytetarët e Kosovës, mirëqenien e tyre dhe të Republikës së Kosovës.

Sulmet dhe fyerjet nuk na zmbrapsin.

Përkundrazi.

Vetëm na bindin se jemi në rrugën e duhur.

Mediat e Grupit KOHA:

“Koha Ditore”, Kohavision, Koha.net, TV Arta

Prishtinë, 8 gusht 2018