Arbëri

Përgjegjësit të prokurimit në Shtime i merret licenca për shkelje të një tenderi

Për shkak të shkeljeve ligjore në një tender në Komunën e Shtimes, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ia ka marrë licencën shefit të prokurimit në këtë komunë. Muhadin Halili ia kishte dhënë kontratën një operatori ekonomik pa i pritur afatet ligjore të OSHP-së për miratim të vendimit.

Me kërkesë të OSHP-së, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ia ka marrë licencën shefit të prokurimit në Komunën e Shtimes, Muhadin Halilit.

Vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të cilat pretendohet se Halili i ka bërë në tenderin për rregullimin e parkut në fshatin Davidoc.

Zyra e Prokurimit në Shtime ia kishte dhënë kontratën një operatori ekonomik pa i pritur afatet kohore të vendimit nga OSHP-ja.

KOHA ka siguruar vendimin e KRPP-së në të cilin thuhet se Halilit i pezullohet certifikata profesionale për periudhën njëvjeçare.

“Kërkesa e OSHP-së është parashtruar me arsyetimin se zyrtari Përgjegjës i Prokurimit të Komunës së Shtimes ka bërë shkelje të dispozitave të LPP-së, neni 112, andaj nga KRPP është kërkuar marrja e masave bazuar në atë që konsiderohen të duhurat në relacion me shkeljet e evidentuara të caktuara në vendimin e OSHP-së lidhur me këtë lëndë”, thuhet në vendim.

Rreth kësaj çështjeje ka pasur reagime edhe nga subjektet opozitare në Shtime, me arsyetimin se qeverisja lokale po i kurdis tenderët dhe po realizon punime jocilësore në terren.

“Qeverisja e tanishme qysh herët ka qenë kritik bashkë me mua për qeverisjen e kaluar për një operator ekonomik i cili merr bukur shumë punë në këtë komunë dhe pavarësisht kritereve të cilat vetë po specifikohen. Iu ka marrë edhe licenca drejtorit të prokurimit, kjo zyrë është më ushtrues detyre dhe nuk ka drejtor”, ka deklaruar Rexhep Gashi, asamblist i LB-së.

E PDK-ja në Shtime, nëpërmjet një reagimi, ka akuzuar qeverisjen lokale se po heshtin kur bëhet fjalë për dhënien e tenderëve.

“Ne si subjekt sa ishim në qeverisje lokale kemi qënë të akuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje për dhënie të tenderëve të kësaj kompanie, ndërsa tani e njëjta është përfituese e shumë tenderëve nga kjo qeverisje dhe ekzekutivi i komunës tani po hesht”, thuhet në reagim të PDK-së.

OSHP-ja e as KRPP-ja nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me marrjen e licencës së përgjegjësit të prokurimit në Shtime.

KOHA ka kontaktuar edhe me ish-shefin e prokurimit në Shtime, Muhadin Halili, i cili ka konfirmuar se ka marrë vendimin, por nuk ka dashur të flasë. Përgjigje për këtë çështje nuk kanë kthyer as ngaKomuna.