Arbëri

Përgënjeshtrohet ekzekutivi, s’e ka dërguar Projektligjin për Qeverinë në Komisionin e Venecias

Komisioni i Venecias ka përgënjeshtruar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë deklaruar muaj më parë se nga ky organ i Këshillit të Evropës është kërkuar opinion për Projektligjin për Qeverinë dhe se përgjigjen do ta marrin në muajin tetor.

“Ligji tashmë është final, dhe kemi arritur duke qenë se nuk mund ta dërgojmë ligjin tek gjykata Kushtetuese, sidomos për numrin e ministrive... atëherë kemi komunikuar drejtpërdrejt me komisionin e Venecias, që paraprakisht të kemi një interpretim dhe kemi arritur që të sigurohemi se në seancën e tetorit do të kemi një përgjigje nga Komisioni i Venecias”, kishte thënë më 21 gusht zëvendëskryeministri Besnik Tahiri.

Mirëpo, Zyra për Marrëdhënie me Jashtë në Komisionin e Venecias ka mohuar se u është dërguar për shqyrtim projektligji për Qeverinë, raporton KOHA.

“Ne kemi marrë vetëm draftin e Ligjit për Tubime Publike. Opinioni mbi këtë ligj do të miratohet deri në fund të kësaj jave. Ne nuk e kemi marrë ligjin të cilit po i referoheni”, është shprehur Tatiana Mychelova, nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë e këtij komisioni.

I pyetur rreth paralajmërimit të Qeverisë për dërgimin e këtij projektligji në Komisionin e Venecias, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë të enjten se tashmë janë në pritje të komenteve.

“Ne e kemi dërguar për komente pasi mendojmë që qeveria ka nevojë për një ligj i cili jo e kufizon, por i cili e sistemon punën e saj. Jemi në pritje për komente por brenda koalicionit kemi dakordancë të plotë për parimet që i kemi vendosur e që rrjedhin edhe nga procesi i reformës së administratës publike, që e ka udhëhequr Besnik Tahiri”, ka thënë Selimi.

Ndërkaq, në lidhje me deklaratën e zyrtares së Komisionit të Venecias se nuk e kanë pranuar këtë projektligj, ai ka thënë se nuk ka informatë.

“Nuk e di, ka qenë e zyrës së kryeministrit që ta dërgoj atje, e kemi përkrahë të gjithë, por sa i përket procedurës fizike të dorëzimit nuk e kam atë informatë”, ka shtuar ai.

KOHA ka kërkuar sqarime që nga java e kaluar nga Kryeministria, por nuk ka marrë përgjigje. Nuk është përgjigjur as zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri.

Komisioni i Venecias, në mbledhjen e mbajtur më 8 dhe 9 tetor, ka hartuar opinionet dhe rekomandimet për draftligjin e Kosovës për Tubimet Publike, ku janë gjetur disa pasaktësi terminologjike që, sipas komisionit, mund të shkaktojnë pasiguri dhe vështirësi në zbatimin e tij.