Një nga masat lehtësuese më të rëndësishme sipas këtij plani që zgjati 3 muaj është mosaplikimi i gjobave e i masave administrative, si ndalimi i importimit të valutave të huaja për subjektet që operojnë me para të gatshme në përputhje me Ligjin për Bankën Qendrore dhe ligjet e tjera në fuqi. Për të hënën ose të martën, është paraparë edhe takimi i radhës për dinarin në Bruksel, e që nga Bashkimi Evropian është vlerësuar “si i fundit për këtë çështje”
Plani 10-pikësh i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për zbatimin e Rregullores për Operacione me Para të Gatshme ka skaduar të dielën
Një nga masat lehtësuese më të rëndësishme sipas këtij plani që zgjati 3 muaj është mosaplikimi i gjobave e i masave administrative, si ndalimi i importimit të valutave të huaja për subjektet që operojnë me para të gatshme në përputhje me Ligjin për Bankën Qendrore dhe ligjet e tjera në fuqi.
Ndërkohë, për të hënën ose të martën, është paraparë edhe takimi i radhës për dinarin në Bruksel, e që nga Bashkimi Evropian është vlerësuar “si i fundit për këtë çështje”.
Por analisti Visar Xani ka vlerësuar se edhe takimi ka gjasa të përfundojë pa ndonjë marrëveshje, në qoftë se palët nuk tregojnë më shumë vullnet për dakordim sesa në takimet e kaluara.
“Edhe takimi i nesërm mund të jetë vetëm një takim i radhës nëse palët nuk pajtohen për kompromise dhe për propozimet evropiane, pasi që në të kaluarën edhe pse ka pasur përafrim, me gjasë vullneti politik dhe gatishmëria për të bërë kompromis nuk sjellin edhe marrëveshje. Prandaj konsideroj që duhet të kemi një qasje përmbyllëse për këtë proces, sepse po na shpenzon energji dhe presioni ndërkombëtar po shtohet karshi Kosovës për të bërë kompromise dhe marrëveshje”, ka thënë Xani.
Tek është shprehur kritik ndaj Qeverisë, ai ka thënë se duhet shmangur maksimalisht imponimi i çështjeve të brendshme të Kosovës në dialog.
Xani është shprehur se përqendrimi në dialog nuk do të duhej të ishte në çështje teknike.
“Do të ishte gjë e mirë që në të ardhmen të mos përdorin praktika të cilat në kuptim strategjik mund të na fusin në tema teknike siç ishte kjo e dinarit me qëllim që t’i evitojmë këto çështje dhe të mos i bëjmë çështjet e brendshme target i diskutimeve teknike në Bruksel me qëllim që të kemi kompromise dhe të kemi marrëveshje të cilat duhet të marrin secila palë nga pak dhe që pastaj vendimet që janë sovrane të Kosovës të diskutohen në Bruksel”, ka deklaruar Xani.
Herën e kaluar kur pati takim për çështjen e dinarit në Bruksel, më 25 prill, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e pati quajtur propozimin e BE-së një përpjekje të mirë për të gjetur zgjidhje.
Delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga Petar Petkoviqi, siç pati thënë Bislimi, ka paraqitur propozime shqetësuese.
Korrespondenti në Bruksel, Augustin Palokaj, pati thënë pas takimit të 25 prillit se dallimet mes palëve ishin të mëdha.
“Dallimet janë shumë të mëdha, aq të mëdha saqë mund të quhet kthim prapa. U paraqit një ide për kompromis nga Lajçaku që palët duhet të japin përgjigje në 7 ditë. U pa qartë se Serbia insistonte në financimin e strukturave paralele në Kosovë, e pala kosovare tha se duhet një zgjidhje praktike për pagesat për serbët”, ka thënë Palokaj. Ai pati thënë, po ashtu, se më 13 maj pritet një takim i radhës në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij serb, Petkoviq.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para dy javësh është shprehur se ndërkombëtarët po insistojnë se Kosova ka të drejtë të vendosë lidhur me dinarin.
Ai ka paralajmëruar se do të vihen bankomate edhe në pika të tjera kufitare me Kosovën, përveç atyre aktuale që ndodhen në veri.
Qeveria e Kosovës e as BQK-ja nuk janë përgjigjur lidhur me takimin e paralajmëruar, e as nuk kanë dhënë sqarime lidhur me zbatimin e masave që ndërlidhen me Rregulloren e BQK-së.
Më 4 prill për çështjen e dinarit pati reaguar edhe kryediplomati i Shërbimit të Jashtëm i BE-së, Josep Borell. Ai pati shprehur shqetësim se zbatimi i Rregullores së BQK-së sjell pasoja për serbët në Kosovë.
“Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin. Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka thënë Borrell të enjten që shkoi. Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh që e vetmja valutë me të cilën mund të kryhen pagesa me para kesh në Kosovë është euroja.
Para se ajo të hynte në fuqi, kanë reaguar Zyra e BE-së në Kosovë, si dhe ambasadat e Shtetet e Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.
“Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhej në reagimin e QUINT-it.
Vendet e QUINT-it kanë kërkuar vazhdimisht që modalitetet rreth dinarit të diskutohen në Bruksel, derisa Qeveria e Kosovës ka insistuar se kjo është çështje e brendshme, e rregulluar edhe me Kushtetutën e Kosovës, që përcakton se Kosova e ka vetëm një valutë zyrtare - euron.
Kryeministri Albin Kurti, në një videoadresim për qytetarët e komunitetit serb, pati thënë se në Kosovë nuk mund të hyjnë më dinarët me thasë siç silleshin më parë. Ai pati përmendur edhe aspektin e sigurisë së dinarit, meqë është përdorur edhe për t’i financuar personat që kanë synuar ta rrënojnë rendin kushtetues të Kosovës.
“Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtin dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, pati thënë ai në videoadresim në shkurt.
Për çështjen e dinarit ishte mbajtur edhe një mbledhje e Këshillit të Sigurimit. Në këtë mbledhje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se heqja e dinarit paraqet sulm ndaj popullatës serbe në Kosovë. Ndërsa kryeministri Kurti ishte kundërpërgjigjur nga Kosova, se Serbia është e shqetësuar për ndalimin e valutave të huaja “jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato shtigje të parave në veri të Kosovës po ndalen” dhe se Serbia po bën propagandë të rrejshme dhe po tenton të nxisë tensione.