Është funksionalizuar “bajpasi” në kanalin e Ibër-Lepencit, një javë pas sulmit terrorist me eksploziv në fshatin Varragë të Zubin-Potokut.
Siç ka njoftuar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tashmë është lëshuar edhe uji në të. Ai ka thënë se tani do të ketë ujë të mjaftueshëm për KEK-un dhe për kompanitë rajonale të ujësjellësit.
Nga java e ardhshme, sipas tij, do të nisë sanimi i përhershëm i kanalit.
“Për më pak se një javë është ndërtuar dhe funksionalizuar komplet bajpasi në kanalin e Ibër Lepencit. Para pak çastesh e lëshuam ujin në bajpas. Tani do të ketë ujë të mjaftueshëm edhe për KEK-un e edhe për KRU-të. Që nga java tjetër do të fillojmë sanimin e përhershëm të kanalit”, ka shkruar ai në Facebook.
Më 29 nëntor, kanali i ujit i Ibër-Lepencit u sulmua me eksploziv. Si pasojë u dëmtua infrastruktura kritike e Kosovës. Nga ky kanal furnizohen një pjesë e konsideruehsme e qytetarëve me ujë, ndërsa uji shfrytëzohet edhe për ftohjen e termoelektranave të KEK-ut. Pra Kosova ka rrezikuar të mbesë pa rrymë e ujë. Situata është stabilizuar shpejt me intervenimin e ekipeve emergjente.
Për rastin, ka pasur bastisje një ditë më pas ndërsa janë arrestuar disa persona e janë sekuestruar armë, eksplozivë, uniforma e emblema.