Që nga marrja e mandatit e deri tash, paraqitjet në publik së bashku i kanë pasur jo të shpeshta.
Bashkë si rrallëherë i bëri fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, më 14 janar, në Sallën e Kuqe në kryeqytet bashkërisht prezantuan investimet që do të bëhen në Prishtinë në rast se LDK-ja, do të jetë fituese e zgjedhjeve.
Abdixhiku premtoi 1.5 miliardë euro për investimet kapitale.
Më herët, marrëdhëniet mes tyre ishin cilësuar si “të ftohura”.
Në tubim ishin mjaft të afërt. Rama u përkujdes që Abdixhikun ta quajë kryeministër në ardhje gjatë gjithë kohës. Për rreth 40 minuta u shpreh i bindur që LDK-ja është ndryshimi i Kosovës dhe duhet t’i fitojë zgjedhjet.
“Nuk kam dyshim se projektet e mëdha së bashku me kryeministrin në ardhje Lumirin dhe LDK-në, Prishtina por edhe Kosova lulëzojnë shumë shpejt. Unaza e qytetit një projekt madhor prej 29 kilometrash që ndërlidhet edhe me autostradën “Ibrahim Rugova” është një projekt që e lidh pjesën jugore dhe veriore që krijon një rreth dhe lidh të gjitha zonat e kryeqytetit, çka është se kemi 1 milion hyrje dhe kjo do të thotë presion për kryeqytetin. Ne i kemi fondet e gatshme dhe duhet vetëm një nënshkrim i ministrisë”, ka thënë Rama.
Nënshkrimi i marrëveshjes miliardëshe, parasheh realizimin e projekteve madhore të kryeqytetit, të cilat ishin premtuar nga Rama për 4 vjet e që nuk ishin realizuar.
Pas nënshkrimit nuk munguan edhe përqafimet e shtrëngimet e duarve mes tyre.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi , Ehat Miftaraj, ka deklaruar se shifra prej 1.5 miliard eurosh investime në kryeqytet është e fryrë dhe asnjë qeveri nuk do të mund të ndante kaq shumë para.
“Projektet që i kanë përmendur 1.5 miliard euro, dihet ashiqare që buxheti i Republikës së Kosovës, nuk ka kapacitet që të akomodojë kërkesat e tilla buxhetore qoftë brenda një mandati e aq më pak brenda një viti kalendarik. Kështu që më mirë do të ishte të ishin të sinqertë në mënyrë që t’i ofrojnë qytetarit diçka që do të mund të bëhej realitet”, ka thënë ai.
Rama pati deklaruar që nuk është një person politik, mirëpo, përtej kësaj, Miftaraj thotë që asnjë ligj nuk e ndalon të marrë pjesë në fushatë.
“Përparim Rama ka kandiduar si kryetar i Prishtinës në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sa është etike dhe morale nga ana e tij, mirëpo, në aspektin ligjor nuk ka ndonjë pengesë që të marrë pjesë në fushatë. Atë që do të doja që Rama dhe të tjerët të bëjnë është që gjatë fushatës të mos japin premtime ose të mos bëjnë marrëveshje të pamundshme për t’u arritur dhe zbatuar”, ka thënë Miftaraj.
Në anën tjetër në një video të bërë në gusht të vitit të kaluar, vetë Rama kishte deklaruar që LDK-ja e ka kandiduar për kryetar të Prishtinës, pasi ishin të bindur që ai nuk do t’i fitonte zgjedhjet.
“Kur ata më ndihmuan në zgjedhje duke më propozuar për kryetar, ata këtë e bënë sepse nuk besuan asnjëherë që do të fitoja, kjo ishte edhe arsyeja që më kanë ftuar politikisht sepse nuk e kishin besuar që do të isha fitues”, ishte shprehur ai.
Projektet që presin të bëhen me 1.5 miliardët e premtuara nga Abdixhiku, janë edhe Unaza e Qytetit e cila ka filluar së ndërtuari dhe rruga “A”. Mirëpo, spitali i qytetit që është përmendur në këtë konferencë ka mbetur vetëm në projekt sikurse shumë projekte të tjera.