Arbëri

Përfitimi 945 milionësh, Kosova dorëzon në Komisionin Evropian dokumentin për Planin e Rritjes

Foto: Driton Paçarada

Foto: Driton Paçarada

Foto: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se është dërguar drejt Komisionit Evropian drafti i narrativit dhe tabela e plotë e dakorduar e agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes, prej të cilit mund të përfitojë rreth 945 milionë euro.

Bislimi ka njoftuar se ky draft së shpejti do të miratohet edhe në nivel të Qeverisë. 

“Vendi ynë është i pari në rajon i cili e ka përmbushur këtë hap dhe dërguar këtë dokument drejt Bashkimit Evropian, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, angazhimit e përkushtimit në avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përfitimit nga dritarja e mundësisë që ofron kjo iniciativë e BE-së”, ka shkruar Bislimi. 

Ai ka shtuar se hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, ku sipas tij, puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian. 

“Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive. Kosova në vazhdimësi po shfaq vullnetin e saj jo vetëm për integrim të plotë e sa më parë në familjen evropiane bazuar në norma meritokracie, por edhe gatishmërinë në arritjen e standardeve evropiane e përmbushjen e reformave të nevojshme”, ka shtuar ai.