Arbëri

Përfaqësues të mediave kritikojnë draftrregulloren e KPM-së për obligimet gjatë fushatës

Në tryezë me titullin: “Ruajtja e integritetit të informacionit në zgjedhje”, përfaqësues të mediave kanë trajtuar sfidat e mediave dhe informimin e drejtë gjatë proceseve zgjedhore. Theks i veçantë i është vënë draftrregullores së KPM-së për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës, e cila derivon nga Ligji për Zgjedhjet. Aspekte të saj janë kritikuar nga përfaqësues të mediave

Roli i medies gjatë zgjedhjeve, besueshmëria e informacioneve dhe sfidat që i paraqet teknologjia janë trajtuar të martën në panele diskutimi, të cilat janë mbajtur në kuadër të konferencës dyditore mbi Integritetin e informacionit, organizuar nga Zyra e USAID-it në Kosovë dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI). 

Në tryezën, ku është diskutuar tema  Ruajtja e Integritetit të Informacionit në Zgjedhje”, janë trajtuar edhe rregulloret e Komisionit të Pavarur të Mediave që derivojnë nga Ligji për zgjedhjet. 

Afërdita Saraçini, drejtoreshë ekzekutive në RTV 21, ka thënë se për fushatë zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i financon disa parti më shumë e disa më pak, teksa me mediat obligohen me Ligj që secilit subjekt t’i ofrojnë hapësirë të barabartë reklamuese, pa pagesë.

“Nëse kërkohet prej mediave barazi dhe qasje karshi subjekteve, qoftë individ, qoftë parti politike, që të ketë barazi qoftë në kohë, qoftë në pagesa, atëherë pse partitë politike, varësisht nga numri i tyre, marrin shuma të cilat i subvencionojnë fushatat e tyre”, ka thënë Saraçini. 

E kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, ka thënë se te draftrregullorja e KPM-së për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore ka mbivendosje sa i përket Kodit të Etikës dhe ka kërkuar që të specifikohen dhe të qartësohen nenet e parapara në Ligjin për Zgjedhjet, që e prekin rolin e medias.

“Një kufizim shtesë që e ka bërë Rregullorja, me të cilën ne si media nuk pajtohemi, është të vendoset orar se kur mund të publikohen reklamat e ndryshme. Jemi kundër kësaj jo vetëm për shkak se ngushtohet periudha veç në katër orë, por edhe është diskriminuese ndaj audiencës”, ka thënë ajo.

Drejtori i informacionit në TV Dukagjini, Dibran Istrefi, ka specifikuar rrezikun nga lajmet e rreme gjatë zgjedhjeve.

“Fake newsin kryesisht e prodhojnë këto mediat ‘incognito’ dhe po ashtu në kohë të zgjedhjeve e prodhojnë në masë të madhe eksponentët e partive politike dhe më pas ajo çka ju ndodh mediave është damka prej publikut”, ka theksuar Istrefi.

E redaktori i RTK-së, Menduh Hysa, ka thënë se lajmet e rreme mund ta dëmtojnë procesin e zgjedhjeve.

“Meqë jemi në prag të zgjedhjeve, ka shqetësime dhe unë po mendoj që janë shqetësime me vend se do të mund të ketë lajme të rreme apo përgjithësisht informacione me integritet të cenuar që do të mund ta deformojnë procesin zgjedhor”, ka theksuar Hysa.

E kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka përmendur kompetencat që ia lejon ligji.

“Ligji na ka dhënë kompetencë në kuptimin e sasisë që mund t’i shitet një subjekti televiziv dhe këtu jemi duke i konsideruar disa modalitete, të cilat mund, në njërën anë, ta mbajnë atë garën mes televizioneve, që të gjitha të kenë mundësinë të marrin reklama nga subjektet politike, por në të njëjtën kohë nuk cenojnë në aspektin financiar mediat e licencuara”, është shprehur ai.

Në ditën e dytë të edicionit të tetë të DISICON-it, ekspertë të teknologjisë dhe përfaqësues të mediave e të shoqërisë civile kanë trajtuar edhe rolin e bashkëpunimit në luftimin e çrregullimeve në informim, promovimin e transparencës dhe ruajtjen e vlerave demokratike në epokën digjitale. E një adresim e ka pasur edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili ka ofruar informacione mbi përgatitjen e zgjedhjeve, duke i theksuar përpjekjet për të rritur integritetin e informacionit dhe për të mbështetur proceset demokratike.