Arbëri

Përfaqësues të bizneseve kundërshtojnë ndërrimin e lokacionit të QKMF-së

QKMF - Komuna e Shtimes

Bizneset në lagjen “Anton Çetta” në Shtime, nëpërmjet një peticioni, e kanë kundërshtuar planifikimin e Komunës për dislokimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në periferi të qytezës. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta nëse Komuna nuk i merr parasysh ankesat. E, autoritetet lokale thanë se nuk tërhiqen nga planifikimi i bërë dhe se nuk ndikohen nga interesat e privatëve

Komuna e Shtimes ka planifikuar që gjatë këtij viti t’i nisë procedurat për dislokimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në një lokacion në periferi të qytezës.

Por, përfaqësues të rreth 30 bizneseve që operojnë përballë këtij institucioni shëndetësor, kryesisht barnatore, laboratorë e klinika private, kanë deponuar një kërkesë dhe peticion për ta kundërshtuar këtë planifikim, me arsyetimin se këto biznese mund të mbyllen.

Sylejman Bajrami, njëri nga iniciatorët e peticionit, u shpreh se do ta shtojnë trysninë tek autoritetet, nëse Komuna nuk tërhiqet nga planifikimi.

“Ne kemi investuar në këtë lagje me miliona euro dhe ne si qytetar duhet t’i shikojmë interesat që të mos dëmtohemi. Ka zgjidhje që të bëhet për arsyeje se QPS-ja është një objekt që mund të zgjerohet dhe të shfrytëzohet për ambulantë, por nuk e dimë pse ka mundësi të largohet ambulanta e QPS-ja jo”, ka thënë Bajrami, iniciator i peticionit dhe pronar i një biznesi.

Kundërshti kanë shprehur edhe përfaqësues të tjerë të bizneseve.

“Nuk më duket e arsyeshme largimi i QKMF-së dhe ndërrimi i vendit, sepse më duket se është pak larg lokacioni për qytetarët, por edhe neve si biznese na dëmton kjo shumë”, deklaroi Faton Tershani, pronar i një barnatoreje afër QKMF-së.

Edhe Bajram Avdyli druan se puna e tij do të bjerë nëse ndërron lokacion QKMF-ja. Ai mban një market.

“Nëse largohet ambulanta nga qyteti, atëherë bizneset paralizohen në përgjithësi dhe do të mbyllen të gjitha. Nuk e dimë se çfarë mendimi ka marrë Komuna që ta dërgojë QKMF-në në kodër derisa në çdo vend ambulantat janë afër qytetarëve”, ka thënë Avdyli.

E, drejtori për Shëndetësi, Isa Haxhiu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka lexuar përgjigjen, të cilën ua ka kthyer bizneseve.

“Ky peticion i juaji prapësohet si i tillë, sepse komuna në këtë rast nuk i dëmton politikat e saja në bazë të interesave private dhe të individëve të caktuar. Komuna është në favorin e vendimmarrjes dhe caktimi i lokacionit është përgjegjësi e saj. Për këtë çështje është mbajtur edhe debat publik dhe unanimisht është konstatuar se QKMF-ja do të ndërtohet në një lokacion tjetër”, ka deklaruar Haxhiu.

Bizneset kanë kërkuar edhe nga niveli qendror që ta prapësojë planifikimin e Komunës për dislokimin e objektit të QKMF-së.