Pak ditë para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të Degës së LDK-së në Fushë-Kosovë janë përçarë kryetari i Komunës, Burim Berisha, me kryetarin e Degës në këtë komunë, Fadil Krasniqi. Berisha e ka shkarkuar Krasniqin nga pozita e drejtorit të Arsimit, ndërkohë që para një muaji e kishte liruar edhe nga detyra e nënkryetarit. Sipas burimeve, Berisha këtë e ka bërë për t’ia lehtësuar rrugën dikujt tjetër të zgjidhet në krye të Degës në Fushë-Kosovë. Berisha e Krasniqi nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.
“Krisje raportesh” ka ndodhur ndërmjet kryetarit të Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, dhe kryetarit të Degës së LDK-së në këtë komunë, Fadil Krasniqi.
Pak ditë para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor të LDK-së në Fushë-Kosovë, Berisha e ka shkarkuar Krasniqin nga pozita e drejtorit të Arsimit, ndërkohë që para një muaji e kishte larguar edhe nga pozita e nënkryetarit të Komunës.
I shkarkuari Krasniqi nuk ka qenë i gatshëm të prononcohet tash, por ka thënë se për këtë do të flasë një ditë tjetër.
Përgjigje në pyetjet e KOHËS nuk ka dhënë as kryetari Berisha.
Ndërkohë, opozitarët në këtë komunë kanë thënë se për shkak të inateve e interesave politike ndërmjet Berishës e Krasniqit, po pëson sektori i Arsimit në Fushë-Kosovë.
“Po siç shihet nën udhëheqjen e kryetarit aktual, Drejtoria e Arsimit po përcillet nga një mallkim, ku për një vit e gjysmë sa jemi ne në Asamble në këtë mandat zgjedhor, është drejtori i dytë që shkarkohet, paraprakisht edhe një vit ose dy janë shkarkuar edhe tre, ku brenda tre vjetësh është drejtori i pestë që shkarkohet. Kjo shpërfaq edhe një herë që kjo udhëheqje komunale nuk është brenga e tyre çështja e arsimit për faktin që sa herë iu hyjnë në punë problemet personale, interesat personale atë Drejtori e sakrifikojnë pa asnjë problem”, ka thënë Mirsad Qyqalla, shef i grupit të asamblistëve të PDK-së në Fushë-Kosovë..
“Edhe përkundër faktit që gjendja në Arsim është në nivelin më të ulët, nuk kemi hapësira të mjaftueshme shkollor, kushtet si ato higjienike, por edhe ato në infrastrukturë, janë në nivelin më të ulët, kjo qeveri gjen kohë që për inate politike, për pazare politike dhe aq më keq për pazare brenda partisë e shkarkon edhe drejtorin e pestë. Ne mendojmë që qytetarët e sidomos nxënësit nuk e meritojnë që edhe për shkak të gjendjes që të mbesin në këto kushte qysh janë deri më tash”, ka thënë Durim Hajra, shef i grupit të asamblistëve të VV-së.
Opozitarët kanë vlerësuar se qeveria komunale në Fushë-Kosovë nuk e ka primare arsimin, por pazaret politike.
Kuvendi zgjedhor i Degës së LDK-së në Fushë-Kosovë është paraparë të mbahet të shtunën.