Përveç asamblistëve të PSD-së që asnjëri nga ta nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit Komunal, ndryshim të madh ka në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilët në mandatin e ri kanë fituar 14 ulëse.
4 nga asamblistët e vjetër nuk do të jenë më pjesë e mandatit të ri. Halim Halimi i cili synonte mandatin e VII dhe Agim Gashi mandatin e IV, nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme që të jenë përfaqësuesit e LDK-së në asamblenë komunale.
Ndërsa Shefki Gashi që për pesë herë me radhë ishte anëtar i Kuvendit Komunal nuk ka marrë fare pjesë në garën zgjedhore, së bashku me Haki Dragushën i cili ka pasur vetëm një mandat.
Nga asamblistët e vjetër, mandatin e katër ka arritur ta fitojë Milazim Vitija.
E re në moshë, por me përvojë në Kuvend, Jeta Rafuna-Hasani ka siguruar vota edhe për një mandat në Kuvend.
Asamblistët e rinj të LDK-së që pritet të zënë ulëset e Kuvendit Komunal janë: Fehmi Kupina, Alban Zogaj, Krenar Xhaferi, Izet Sadiku, Milazim Vitija, Donat Lushaku, Fisnik Osmani, Fadil Aliu, Lindita Rexhepi, Sami Salihu, Pëllumb Bajcinovci, Ajet Brajshori, Amir Simnica.
Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë partia me përqindjen më të madhe në Prishtinë, pritet të përfaqësohet në Kuvendin Komunal nga shumë emra të rinj.
Megjithëse ende nuk janë bërë të ditur të gjithë emrat që do të përfaqësojnë Vetëvendosjen në Asamblenë Komunale, për momentin vetëm Arbër Vokrri dhe Besnik Mujeci janë asamblistët e vjetër që kanë fituar mandatin e dytë.
Nga VV-ja nuk do të jetë asamblisti më i zhurmshëm, Egzon Azemi së bashku me Leonora Shabani-Bajraktari. KQZ nuk certifikoi kandidaturën e tyre për shkak të një dënimi të shqiptuar për pjesëmarrje në protestat që kundërshtuan ‘Demarkacionin”.
Ndërsa asamblistët e rinj të kësaj partie janë: Nora Kelmendi, Berat Lahu, Ermal Osmani, Violeta Salihu, Petrit Reqica, Triera Kasumi, Berna Saraci dhe Mirsad Vitia i cili është edhe djali i xhaxhit të kandidatit për Prishtinën, Arben Vitia.
Partia Demokratike e Kosovës këtë mandat do të përfaqësohet me 10 ulëse, numër ky shumë më i madh krahasuar me mandatin që po lëmë pas. Eliza Hoxha ishte bartëse e listës së Uran Ismailit. Por a e kishte me të vërtetë garën në Prishtinë mbetet të shihet nëse ajo do të zgjedhë kuvendin e Kosovës me page mbi 1 mijë euro apo kuvendin komunal me rreth 200 euro
Leutrim Retkoceri dhe Kumrie Shabani-Ramdani do të jenë për të dytën herë në Kuvendin Komunal.
Rinë Limani, Ilirik Musliu dhe Granit Rugova janë emrat e asamblistëve që për momentin kanë të sigurt përfaqësimin në Kuvend.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po presin rezultatet përfundimtare para se të bëjnë publike edhe emrat e asamblistëve. Por tashmë dihet se Dren Shahini i cili garoj për këtë post, përkundër zhurmës së madhe për rrugën Muharrem Fejza, nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme që të fitojë mandatin e parë të tij si këshilltar komunal.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka siguruar votat e mjaftueshme për të përfaqësuar AKR-në në Kuvendin Komunal.
Nga kjo parti asamblistë për të dytën herë do të jetë edhe Sami Boroci. Mandatin e dytë gjithashtu e ka fituar edhe Fiknete Bejta, e cila nga asambliste e pavarur tani në Kuvendin Komunal do e përfaqësoj AKR-në.
Një vend në asamble ka siguruar edhe kryesuesi aktual i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta, nga Lëvizja për Bashkim.
Pas rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja do të bëhen publike listat e plota të anëtarëve të Kuvendit Komunal nga të gjitha partitë.