Arbëri

Për viktimat që ngarkohen ish-krerët e UÇK-së ka të dënuar, Limaj e Haradinaj ishin liruar

Disa nga emrat e viktimave me të cilët Specialja ngarkon katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, kanë qenë pjesë e gjykimeve të mëhershme për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Tribunali i Hagës kishte dënuar Haradin Balën për disa nga to e i kishte liruar Fatmir Limajn e Ramush Haradinajn me arsyetimin që nuk kishte “ndërmarrje të përbashkët kriminale” në kryerjen e këtyre vrasjeve

Gjykata Speciale ka publikuar emrat e viktimave në Kosovë për të cilat vrasje ngarkohen katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Nga emrat e parë të viktimave të pretenduara shumë janë identitete të njohura nga proceset e mëparshme gjyqësore.

Në Komunën e Drenasit si viktima të vrasjes përmenden: Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha. Tutje përmendet edhe Ajet Gashi.

Këta emra viktimash ishin pjesë e hetimit të Tribunalit të Hagës në aktakuzën e përbashkët kundër dy ish-ushtarakëve të UÇK-së, Fatmir Limaj e Haradin Bala.

Fatmir Limaj ishte liruar si i pafajshëm.

Për këto vrasje Bala ishte dënuar me 13 vjet burgim. Kjo është e precizuar në aktgjykimin e shkallës së dytë të Tribunalit të Hagës.

“Dhoma e shpall të akuzuarin Haradin Bala fajtor, në bazë të nenit 7(1) të Statutit, për këto vepra penale: Vrasje, shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës, sipas nenit 3 të Statutit, për pjesëmarrjen personale në vrasjen, në malet e Berishës, të nëntë të burgosurve: Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Hasan Hoxha, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti dhe Shyqyri Zymeri”, thuhej në faqen 301 të aktgjykimit të shkallës së dytë të Tribunalit të Hagës.

Limaj akuzohej si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale për këto vrasje. Me të njëjtin cilësim akuzohet edhe katërshja e UÇK-së nga Specialja.

Por, Tribunali i Hagës e mohonte “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” në malet e Berishës për viktimat e pretenduara.

“Gjithsesi nuk ka prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë ekzistencën ose shtrirjen e ndërmarrjes së pretenduar kriminale. Më së shumti ekziston mundësia e nxjerrjes së një supozimi prej ekzistencës së kamp-burgut se ishte një projekt apo plan prej dikujt apo prej një grupi, ndoshta në UÇK për burgosjen e një numri të caktuar individësh....Në aktakuzë identifikohen vetëm tre të akuzuarit si pjesëmarrës në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, por vazhdohet me fjalë të përgjithshme për ushtarë dhe roja të tjerë të UÇK-së në kamp-burgun e Llapushnikut dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së pjesëmarrës në arrestimet e civilëve serbë dhe shqiptarëve të konsideruar bashkëpunëtorë. 2256 dëshmitë tregojnë se në kryerjen e veprimeve kriminale të provuara në këtë vendim morën pjesë një numër njerëzish. Ishin të paktën dy roja, Haradin Bala dhe personi i njohur si Murrizi”, thuhej në faqen 272.

Edhe dy viktimat e Zonës së Dukagjinit që i ka përmendur Gjykata Speciale si viktima e që, sipas saj, në vrasjen e tyre kanë gisht, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, janë raste që janë gjykuar edhe më herët në Hagë.

Ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ishte akuzuar për vrasjen e Skënder Kuqit dhe Pal Krasniqit.

Haradinaj konsiderohej po ashtu si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Ai ishte liruar nga këto akuza në vitin 2012. Tribunali i Hagës e hodhi poshtë një pretendim të tillë.

“Prokuroria nuk paraqiti prova të drejtpërdrejta për të vërtetuar se krimet e vërtetuara ishin kryer si pjesë e një NPK-je në të cilën merrnin pjesë të tre të akuzuarit” dhe mori në shqyrtim provat rrethanore të ofruara nga Prokuroria për të vërtetuar këtë pretendim. Andaj Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj nuk u gjetën penalisht përgjegjës si pjesëmarrës në NPK për krimet e ngarkuara në aktakuzë”, thuhej në deklaratën e Tribunalit të Hagës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si: përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.