Për rreth tri javë që kur kanë nisur protestat në veri të Kosovës, gazetarët kanë qenë cak i sulmeve të huliganëve serbë në të paktën 30 raste, ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Ky Asociacion e ka cilësuar alarmante situatën. Ka bërë thirrje që të ndërmerren hapa për të siguruar ambient të sigurt për raportim.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me situatën që gjenden kolegët tanë që raportojnë nga komuna, andaj kërkojmë nga organet kompetente të ndërmarrin hapa që të krijojnë një ambient të sigurt për raportim nga ajo zonë. Njëherësh, u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve, që të kenë kujdes të shtuar dhe në asnjë formë të mos rrezikojnë vetën për hir të raportimit. Secili sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së të premten në mbrëmje.
Që nga fundi i majit, në veri të Kosovës ka pasur tensione pas nisjes së protestave të dhunshme nga serbët lokalë, që kundërshtuan hyrjen në objekte komunale të kryetarëve të rinj të katër komunave në veri. Në ditën e dytë të protestave, nga sulmet pësuan fillimisht 30 ushtarë të KFOR-it disa policë të Kosovës. Nga ajo ditë, në vazhdimësi mediumet kanë qenë cak i sulmeve. Fillimisht u dëmtuan vetura e pajisje të mediave, ndërsa gazetarët non-stop sulmoheshin e fyheshin.
Të premten, ndodhi një nga rastet më direkte të sulmit ndaj gazetarëve. U sulmuan të paktën nëntë gazetarë, ndërsa KFOR-i nuk reagoi fare në vendin e ngjarjes.
