Arbëri

Për shumë ditë, banjat e QKUK-së pa sapunë e letër tualeti

Stafi shëndetësor i QKUK-së, por as pacientët e përcjellësit e tyre, nuk kanë pasur mundësi të gjejnë as sapunë për t’i larë duart e as letër higjienike në banjat e këtij institucioni shëndetësor. Furnizimi është bërë tek të premten. Drejtoria e SHSKUK-së ka justifikuar mungesat, me kontratat e vjetra të trashëguara

Për të paktën një javë në banjat e klinikave të QKUK-së nuk janë parë dy nga produktet më bazike për secilin institucion – sapuni për duar dhe letra higjienike.

Pamjet e mëngjesit të 29 shtatorit dëshmojnë gjendjen e rëndë të këtyre banjave.

Në të paktën 10 banja nga klinikat, nuk ka pasur fare letër tualeti. E sapun apo shampo për duar pati vetëm në një banjë të krejt QKUK-së, qendrës kryesore shëndetësore publike në Kosovë.

KOHA i dërgoi pyetje në mëngjesin e se premtes Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së për këto mungesa bazike. E, disa orë më pas nisi furnizimi, që institucionet shëndetësore thanë se ishte planifikuar për këtë ditë.

Pas furnizimit, drejtoria e SHSKUK-së ka kthyer përgjigje, duke justifikuar mungesat me kontratat e vjetra të trashëguara.

“Menaxhmenti aktual ka trashëguar problematikën e furnizimit me letër higjienike dhe mjete të tjera higjienike, pra kontrata të lidhura më herët, e për të cilat keni raportuar dhe ju. Është punuar intensivisht që në procedurën e re që hapet për pastrim të brendshëm, në të njëjtën kohë të parashihet edhe furnizimi me letër higjienike dhe mjete të tjera higjienike”, thuhet në përgjigje. “Sipas kontratave paraprake janë bërë porositë për letër higjienike dhe mjete të tjera higjienike. Me sa jemi informuar, klinikat janë furnizuar”.

Drejtoria e SHSKUK-së nuk ka kthyer përgjigje se pse ky institucion ka mbetur për disa ditë pa asnjërin nga dy produktet.

Nga videot që i ka siguruar KOHA, shihet edhe gjendja e rëndë e banjave.

Janë të rralla dyert e tyre që mund të mbyllën. E, të rralla janë edhe guaskat e tualeteve që kanë kapakë të padëmtuar, e në shumicën prej tyre ka edhe probleme me sistemin e ujit.

Këtë vit e edhe vitin e kaluar ka pasur vazhdimisht probleme me furnizime me produkte bazike.