Arbëri

Për shkak të situatës me COVID-19 paralajmërohet reduktimi i disa shërbimeve mjekësore

Shtatë persona e kanë humbur betejën me virusin Covid-19 në 24 orët e fundit në Kosovë.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 1.318 testime të kryera të dielën janë regjistruar edhe 337 raste të reja, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 3.880.

Vetëm në Prishtinë janë konfirmuar 185 raste të reja, derisa totali i rasteve nga shfaqja e rasteve të para në muajin mars e deri tani ka kaluar shifrën prej 20 mijë, raporton KOHA.

Por, edhe përkundër shtimit të rasteve të reja, kryeministri Avdullah Hoti, gjatë së shtunës, e vlerësoi situatën në kontroll krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropën, derisa përsëriti thirrjet për respektim të masave për ta parandaluar përhapjen e virusit.

Por, gjërat nuk po duken se mund të mbesin nën kontroll edhe për një kohë të gjatë, të paktën në klinikat e QKUK-së.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar reduktimin e disa shërbimeve.

Pasi Klinika Infektive ka mbërritur në kapacitetin e plotë, pacientët po shtrohen edhe në Pulmologji dhe Mjekimin Intensiv Qendror për rastet më të rënda.

“Nëse veç mbushen edhe kapacitetet e reparteve të mushkërive ne kemi planin për të kaluar edhe në klinikat ose repartet e caktuara varësisht nga nevoja dhe po ashtu edhe në spitalet e përgjithshme ku gjatë tërë kohës kemi pasur numër të pacientëve por ka qenë numri më i vogël diku rreth 20”, ka thënë ai.

E përderisa numri i të prekurve me virus po shtohet edhe në institucione shkollore, ministri Ramë Likaj ka kërkuar që të respektohen masat e rekomanduara nga IKSHPK meqë, sipas tij, asnjë skenar tjetër nuk e zëvendëson pjesëmarrjen në shkollë.

E drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, e ka konfirmuar se për shkak të shtimit të rasteve në shkollat e Prishtinës tashmë 10 prej tyre kanë kaluar në skenarin C, mësim nga distanca. Sipas saj, deri tash janë të prekur 85 nxënës dhe 45 mësimdhënës.