Gjatë javës, Gjykata Themelore në Gjakovë arriti që përmes platformës online për herë të parë të mbante një seancë gjyqësore në një proces kontestimor për kompensim dëmi.
Gjyqtari i cili zhvilloi këtë seancë, Besnik Bislimi, thotë se mbajti shqyrtimin kryesor për 35 minuta në platformën Zoom, pa ndonjë problem teknik, me përfshirjen e të gjitha palëve. Porse, sipas tij, jo të gjitha palët mund të kenë qasje në këto platforma, raporton KOHA.
Së fundi, KGJK dhe KPK kanë ngritur si çështje mbajtjen e seancave online në mënyrë që të mos ketë zvarritje të lëndëve. Mbajtja në këtë formë e tyre te rastet penale po cilësohet si e pamundur.
Kryesuesi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave të Kosovës, Bashkim Hyseni, thotë se ka paqartësi ligjore te rastet penale, andaj do të duheshin ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale që të ndodhte një gjë e tillë.
Vetëm brenda kësaj jave, avokati Ramiz Krasniqi thotë se atij i ishin anuluar disa seanca për shkak të pandemisë.
Sipas Krasniqit, kjo situatë do të përkeqësojë edhe më shumë efikasitetin e gjyqësorit, por që, sipas tij, mbajtja e seancave online nuk është zgjidhje adekuate.
Në IKD thonë se nëse KGJK dhe KPK nuk gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar në gjykata atëherë deri në fund të vitit do të përballen me numër të madh të lëndëve të pakryera.
Në fillim të muajit korrik, pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19, gjykatat dhe prokuroritë reduktuan punën duke iu përshtatur planit emergjent për menaxhimin e pandemisë dhe duke trajtuar vetëm lëndët emergjente dhe ato me paraburgim.
Ndërsa që nga muaji mars, për dy muaj rresht, gjykatat në Kosovë kishin punuar vetëm me kapacitete të kufizuara duke trajtuar vetëm lëndë të natyrës urgjente.