Në Parlamentit Evropian është arritur pajtimi për pozicionin e këtij institucioni të BE-së për planin për zhvillim dhe reforma për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një paketë prej gjithsej 6 miliardë eurosh dedikuar investimeve në këto vende. Tash PE-ja do të hyjë në negociata me Këshillin e BE-së për ta bërë formal këtë plan. Për Kosovën dhe Serbinë parakusht specifik do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve.
Në Parlamentin Evropian është arritur pajtim për pozicionin e këtij institucioni të BE-së për planin evropian për rritje ekonomike dhe reforma në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tash Parlamenti do të hyjë në negociata me Këshillin e BE-së për ta bërë formal vendimin për këtë plan.
Fjala është për një paketë prej gjithsej 6 miliardë eurosh dedikuar investimeve në këto vende të rajonit, prej të cilave 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të volitshme.
Pritjet janë që deri në fund të muajit prill të formalizohet vendimi i BE-së, para se të ndodh shpërbërja e Parlamentit Evropian, në prag të zgjedhjeve të qershorit në BE.
Ky plan i BE-së që ishte propozuar fillimisht nga Komisioni, është një prej nismave më ambicioze të cilat Bashkimi Evropian i ka për vendet e rajonit të Ballkanit, për t’u ndihmuar që të bëhen gati për integrim në Bashkimin Evropian. Por, përdorimi i këtyre mjeteve do t’u nënshtrohet kushteve të fuqishme që kërkojnë tri institucionet e BE-së.
Kriteret kryesore të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet e rajonit, lidhen me sundimin e ligjit, respektimit të parimeve të demokracisë dhe reformat institucionale.
Ndërsa për Kosovën dhe për Serbinë parakusht specifik do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse të cilat dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksit për implementim, sikur edhe të gjitha obligimet e mëhershme nga dialogu si dhe të angazhohen në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Për këtë janë pajtuar të gjitha institucionet e BE-së. Dallimet në tekstet e përgatitura nga Këshilli dhe ai nga Parlamenti kanë një pikë që flet për nevojën e përshtatjes së qëndrimeve të vendeve të rajonit më Bashkimin Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Këshilli këtë e përmend si pritje, ndërsa Parlamenti Evropian, kërkon që kjo të jetë parakusht.
Para së gjithash Parlamenti kërkon që kjo të përfshijë edhe kushtin që vendet që duan të përfitojnë nga kjo paketë, duhet të mbështesin edhe qëndrimet e BE-së rreth sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo do të ishte një problem për Serbinë, që është i vetmi vend në rajon që akoma nuk i ka mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.