Arbëri

Për një vit e gjysmë, drejtori i Inspektoratit në Lipjan pretendon se u kërcënua shtatë herë

Brenda një viti e gjysmë, drejtori i inspektoratit në Komunën e Lipjanit, Flamur Sylejmani, pretendon se është kërcënuar së paku shtatë herë nga persona të ndryshëm, pas realizimit të aktiviteteve të ndryshme në terren.

Sylejmanit thotë se i janë kërcënuar edhe familjarët , por jo të gjitha rastet i ka lajmëruar në Policinë e Kosovës.

Ndërkohë të dielën pasdite, Sylejmani, ka gjetur një plumb në pjesën e parafangos në veturën e tij, për të cilin rast e ka lajmëruar edhe Policinë e Kosovës në Lipjan. Rasti ka nisur të hetohet.

Image

KOHA ka kontaktuar edhe me Sylejmanin i cili ka sqaruar se personat të cilët e kanë kërcënuar në të kaluarën janë të njohur për Policinë e Kosovës, por deri më tash nuk është dënuar askush nga organet e drejtësisë, ndërkaq rasti i fundit po vazhdon të hetohet nga Policia e Kosovës.

“Në asnjë rast nuk më ka ardhur ndonjë kërcënim në kuptimin personal, por e gjitha kërcënimet janë si pasojë e zbatimit të ligjit në kuadër të drejtorisë së Inspektoratit. Rasti i së dielës ka qenë më i rëndi megjithëse ende personi i cili e ka vendosur plumbin në veturën time nuk është identifikuar. Por në rastet tjera kur jam kërcënuar janë identifikuar nga Policia, mirëpo deri më sot nuk është dënuar askush”, ka thënë Sylejmani.

Ai ka shpjeguar se ka pasur raste kur u janë kërcënuar edhe familjarët e tij.

“Si inspektorat jemi vazhdimisht aktiv në territorin e komunës së Lipjanit për ta mbrojtur pronën publike, ambientin dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve, prandaj individëve të caktuar ndoshta nuk i pëlqen puna jonë e drejtë dhe nëpërmjet kërcënimeve mundohen t’i frikësojnë edhe familjarët. Si drejtues i inspektoratit jam zotuar se do të punoj drejtë në interes të qytetarëve dhe në ruajtjen e mirëqenies së tyre”, ka shtuar Sylejmani.

Ndërkohë, rastin e fundit të Sylejmanit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një raporti.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se në veturën e tij, në pjesën e parafangos kishte gjetur të vendosur një plumb. Rasti në hetime nga njësitë relevante”, thuhet shkurt në raport.