Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur që detyrimi për marrëdhënie seksuale nën kërcënimin e armës, fotografimi i akteve seksuale e dërgimi i tyre tek familjarët e viktimës, kërcënimi që gruaja do të vritet nëse nuk i bindet burrit për marrëdhënie seksuale, tërheqja zvarrë e rrahja, si dënim meritor kanë gjobën prej 3.800 eurosh. Kjo gjykatë me këtë shumë dënoi një burrë, i cili akuzohej për ngacmim seksual, kanosje e lëndim të lehtë trupor. Gjyqtari ia dha mundësinë të dënuarit që gjobën ta paguante me tri këste. Në arsyetimin e dënimit numërohen tri rrethana lehtësuese për të dënuarin e veç një rrethanë rënduese
Kërcënimet, shantazhet, detyrimi për marrëdhënie seksuale e rrahjet ndaj një gruaje në Prizren janë përmbyllur me një dënim unik prej 3.800 eurosh për dhunuesin.
Gjykata Themelore në Prizren javë me parë shqiptoi këtë dënim kundër një burri, i cili akuzohej për tri vepra penale që janë ngacmim seksual, lëndim i lehtë trupor e kanosje. Kjo gjykatë ia mundësoi këtij të dënuari dënimin e gjobës me këste.
“Ashtu që të akuzuarin Xh.B. nga Prizreni, për veprat penale si në I, II dhe nën III në dispozitiv të aktgjykimit ia shqipton dënimin unik me gjobë në shumën prej tre mijë e tetëqind euro, (3,800) i cili dënim duhet të paguhet me tri këste, duke filluar nga data 1 deri 5 të secilit muaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykim.
Kjo gjykatë ndonëse në arsyetim ,“lidhjen” e gruas me të dënuarin e quan lidhje me detyrim, abuzimin seksual ndaj saj e ka cilësuar “ngacmim seksual” e jo dhunim as sulm seksual. Ndonëse aktakuza ndërtohet nga prokurori, megjithatë gjatë procesit gjyqësor trupi gjykues mund ta rikualifikojë veprën penale.
“I akuzuari Xh.B., nga muaji shtator i vitit 2018 deri më datën 17.8.2019, në Prizren, duke u sjellë në mënyrë të padëshiruar ndaj të dëmtuarës L. K. “përmes sjelljes verbale dhe joverbale të natyrës seksuale me qëllim të cenimit të dinjitetit, të njëjtës i krijon mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues, në atë mënyrë që të dëmtuarën e mban në lidhje të detyrueshme në mënyrë kërcënuese, duke e kërcënuar të njëjtën edhe me përdorimin e armës....”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Gjykata nuk ka sqaruar se çka është “lidhja e detyrueshme” dhe pse e kanë cilësuar ngacmim seksual. Për këtë vepër kjo gjykatë ka caktuar dënim prej 2500 eurosh gjobë.
E në Kodin Penal edhe vepra “Ngacmim seksual” dënohet me burg. Në rast se kryhet nën përdorimin e armës, siç ka ndodhur në këtë rast, ajo nuk dënohet me gjobë, por me burgim deri në 5 vjet.
“Kur vepra penale nga paragrafët 1, 2 ose 3 të këtij neni kryhet me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit mendor apo fizik, kryerësi dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 183 të Kodit Penal.
Në anën tjetër, ky Kod Penal e parasheh edhe veprën penale të dhunimit të cilën e përkufizon si kryerje të aktit seksual në mënyrë të dhunshme.
“Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet”, thuhet në paragrafin 1 të nenit 227.
Fotot nga “lidhja e detyrueshme”, siç e quan gjykata, u kanë shkuar familjarëve të gruas së abuzuar.
“...duke kërcënuar se do të shpërndajë fotot e saja intime në rrjetet sociale në internet, të cilën gjë edhe e bën, duke ia dërguar të njëjtat foto familjarëve të saj, duke përfshirë ish-burrin e saj J. K. dhe fëmijëve të saj, djalit H. K., vajzës E. K. “në këtë mënyrë të dëmtuarës ia krijon një mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues”, thuhet në aktgjykim.
Këtë gjykata e ka cilësuar si kanosje. Këtë vepër e ka dënuar me 800 euro gjobë.
I dënuari nga shkalla e parë e kishte kërcënuar këtë grua me vrasje e për këtë janë përdorur si provë komunikimet përmes telefonit.
“Përmes mjeteve të komunikimit elektronik me anë të mesazheve (viber, facebook) përmes numrit të telefonit +......... i drejtohet të dëmtuarës me fjalët “mbaje mend o ti keme me myt mu o une ty kame te myt... ti e unë jemi dushman.... ku të djeg shpirti mashum te shkatërroj...” po ashtu me datë 17.08.2019 deri sa e dëmtuara me të pandehurin ishin në motel “H.......” i pandehuri pos sulmit fizik, të dëmtuarën e kanos me fjalët “kam me të vra... kam allti ti ki me kon e jemja, kam me ju lajmeru burrit tan dhe fëmijëve...” me ç ‘rast tek e dëmtuara shkakton frikë, ankth dhe pasiguri, për çka edhe gjykata e shpalli fajtor dhe ia shqiptoi dënimin unik me gjobë si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në arsyetim.
Kanosja nën kërcënimin e armës është e ndërtuar deri në 5 vjet burg.
“Kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 181 të Kodit Penal.
Kjo viktimë përveç dhunës seksuale është rrahur. Në arsyetim përshkruhet momenti kritik.
“Derisa i pandehuri me të dëmtuarën ishin duke qëndruar në motel dhe në momentin kur e dëmtuara dëshiron që të ndahet me të dëmtuarin dhe të largohet nga moteli, i pandehuri fillimisht ia merr telefonin të dëmtuarës pastaj fillon të ushtrojë dhunë ndaj të njëjtës duke e kapur për flokësh dhe krahë duke e tërhequr dhe gjuajtur në krevat, të cilat veprime i përsërit disa herë, me ç’ rast të dëmtuarës i shkakton lëndime trupore dhe atë gjakmbledhje nënlëkurore të regjionit të krahut të dorës së majtë, të cilat paraqesin dëmtime të përkohshme të shëndetit, të përcaktuara si në ekspertizën mjeko – ligjore, nr. 08/2019, të përgatitur nga eksperti Dr. V.K.,. “, thuhet në arsyetim.
Për dhunën e ushtruar ai është dënuar me 500 euro gjobë.
Në arsyetim thuhet së i akuzuari e ka pranuar në tërësi fajin për veprat që i rëndojnë.
Kur vendosi për këtë rast, gjyqtari Lulzim Hoxha gjeti tri rrethana lehtësuese e vetëm një rënduese për të akuzuarin.
“Gjykata si rrethanë lehtësuese mori parasysh pranimin e fajësisë, pendimin e tij, zotimin se në të ardhmen veprat të këtilla nuk do të përsëriten. Ndërsa, prej rrethanave rënduese gjykata mori parasysh shkallën e përgjegjësisë penale”, thuhet në aktgjykim.
Sipas gjyqtarit Hoxha, përmes këtij vendimi do të arrihet të ndikohet në “moralin e shoqërisë”.
“Gjykata është e mendimit se dënimi i shqiptuar të akuzuarit është në shërbim të preventivës së përgjithshme, posaçërisht preventivës së posaçme, do të ndikojë në forcimin e moralit të shoqërisë, përgjegjësisë dhe disiplinës së qytetarëve e të akuzuarve dhe se me këtë dënim do të mund të arrihet qëllimi i dënimit në të gjitha drejtimet e tij”, thuhet në aktgjykim.
KOHA për këtë çështje ka dërguar pyetje te Gjykata Themelore në Prizren, ku janë përfshirë edhe kërkesa për sqarime nga gjyqtari Hoxha.
Zyra për Informim e këtij institucioni ka thënë që për këtë pala mund të ankohet në Gjykatën e Apelit ndërsa për mënyrën e vendosjes kanë thënë që nuk i komentojnë.
“Secili vendim i gjykatës është publik dhe i arsyetuar (sikurse vendimi që ju keni dërguar pyetje), kurse palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të shkallës së parë, për të cilat vendos Gjykata e Apelit, për lartësinë e dënimit apo për shkeljet procedurale”, thuhet në përgjigjën e këtij institucioni.
Kjo gjykatë nuk ka sqaruar as pse gjyqtari ka paraparë më shumë rrethana rënduese sesa lehtësuese.
“Gjithashtu secili vendim i gjykatës është publik dhe i arsyetuar (sikurse vendimi që ju keni dërguar pyetje), kurse palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të shkallës së parë, për të cilat vendos Gjykata e Apelit, për lartësinë e dënimit apo për shkeljet procedurale”, thuhet në këtë përgjigje.
Prokuroria e gjyqësori vazhdimisht janë kritikuar për hetime të pasuksesshme e dënime të buta për dhunuesit e grave.