Arbëri

Për mosshpenzimin e 30 milionë eurove, LDK-ja kërkon masa ndaj kryetarit Ahmeti

LDK-ja në kryeqytet ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit Shpend Ahmeti, shkaku i mosmenaxhimit të duhur të buxhetit.

Për këtë, asamblistët në Prishtinë thonë se ai duhet edhe të kërkojë falje publike, raporton KTV.

Sipas zyrtarëve të LDK-së, krejt ky keqmenaxhim i parasë publike, ka ndodhur kur Prishtina ka nevojë për investime.

Në një konferencë për media, asamblisti i LDK-së, Shefqet Osmani, i ka quajtur skandaloze të dhënat e raportit financiar për vitin 2019, veçanërisht bartjen e 28 milionë eurove në buxhetin e këtij viti.

Kjo shumë e pashfrytëzuar nga buxheti i vitit paraprak, sipas Osmanit, po bëhet në kohën kur Komunës së Prishtinës po i mungon një qeverisje cilësore dhe e përgjegjshme.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të tjera, Osmani ka thënë se Komuna i ka rritur shpenzimet në shumë fusha, kryesisht, siç ka thënë ai, ato të luksit.

Megjithatë, ditë më parë Ahmeti kishte thënë se këto mjete nuk do të mbeten pa u shfrytëzuar, pasi ato barten në buxhetin e vitit 2020.