Arbëri

Për marrëveshje me Serbinë kërkohet njohje reciproke dhe ndërrim negociatorësh

Njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërrimi i politikanëve që deri tani e kanë udhëhequr këtë proces, si dhe inkuadrimi i serbëve lokalë në procesin negociues - janë disa nga parakushtet që, sipas diskutuesve në konferencën “Rruga drejt marrëveshjes finale Kosovë-Serbi”, duhet të plotësohen për arritjen e një marrëveshjeje finale në mes të dy shteteve.

Në konferencën që të mërkurën është organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është zhvilluar një panel diskutimi me temën “Marrëveshja e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: mundësitë dhe sfidat”.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, në panelin që është moderuar nga drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se në këtë proces bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e qartë, shkruan sot Koha Ditore.

“Qartësia e cila për mua sot për sot nuk ekziston në planin gjeopolitik, ne jemi të bllokuar dhe kjo është çështje gjeopolitike dhe të gjithë e pamë se çfarë lojërash ndodhën në këtë periudhë”, ka theksuar Tahiri, duke shtuar se në vend që të shkohej drejt një marrëveshjeje përfundimtare, debati u zhvendos në çështje kufijsh. Ajo ka thënë se shumica e marrëveshjeve të arritura në këtë dialog janë zbatuar me përjashtim të asaj për energjinë, që nuk e ka zbatuar Serbia, dhe asaj për Asociacionin, që nuk e ka zbatuar Kosova.

Sipas saj, Kosova duhet të përgatitet për fazën finale të dialogut, që ajo ka vlerësuar se është shumë komplekse. Tahiri ka deklaruar se paqja mund të arrihet vetëm atëherë kur agresori merr përgjegjësinë dhe viktima drejtësinë.

Sipas saj, dialogu nuk është ndalur për shkak të taksës, por është ndalur sepse Kosova ishte duke u rrezikuar, sipas saj, nga çështja e korrigjimit të kufijve. “Rrezikimi i kufijve të Kosovës e ka ndalur këtë proces, jo taksa”, ka theksuar Tahiri, derisa ka shtuar se pa njohje reciproke në mes të dy vendeve në kufijtë aktualë nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe se do të ketë luftë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)