Arbëri

Për Kurtin, emërimi i zv/ministrave s’është urgjencë – prioritet projektbuxheti 2020

Nga 80 zëvendësministra, sa kishte kabineti i Ramush Haradinajt, tani Qeveria e Kurtit pritet t’i ketë vetëm rreth 35 të tillë, që do të shpërndahen në 15 ministri.

Por emërimi i tyre tani për tani duket se nuk është prioritet i kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se ende nuk janë caktuar emrat për këto pozita, raporton KTV.

Kurti pas takimit që ka pasur me shefen e Zyrës së BE-së, në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka thënë se në këtë fazë në rend të parë e ka vënë Projektligjin për buxhetin për vitin 2020.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur se a do të marrë leje nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për t’i shkarkuar ministrat e kësaj partie, ka thënë se nuk beson se do të ketë nevojë për një gjë të tillë në qeverinë e tij.

KTV-ja ka provuar të flasë edhe me LDK-në, partnerin tjetër të koalicionit, për emrat që ata do t’i propozojnë për emërim në pozitat e zëvendësministrave, por ata nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje.

Përveç zvogëlimit të numrit të zëvendësministrave, koalicioni VV-LDK ka reduktuar edhe numrin e ministrive nga 21, sa kishte, në 15, ndonëse fillimisht ishte premtuar se do t’i kenë vetëm 12.