Për herë të parë në Komunën e Prishtinës, 3 persona që nuk janë këshilltarë komunalë janë zgjedhuar si aksionarë në ndërmarrjet publike komunale.
Në seancën e jashtëzakonshme, që është mbajtur të enjten, partitë opozitare, LVV, AAK, AKR e NISMA, kanë ndarë “hiset” nëpër ndërmarrje publike, duke i marrë ato nga LDK e PDK.
Megjithatë në ndërmarrjen “Prishtina Parking”, Flamur Kelmendi dhe Besnik Haziri janë dy personat e votuar si aksionarë, ndonëse nuk janë pjesë e Kuvendit Komunal.
Njëjtë ka ndodhur edhe në ndërmarrjen “Kuzhina Qendrore”, në të cilën aksionare janë zgjedhur Arbnora Berisha nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Teuta Kadiu-Gjinolli, e cila është e jashtme.
Këshilltari komunal, Arianit Beqiri nga LVV, ka thënë se ligji lejon emërimin e personave të jashtëm derisa ata votohen nga Kuvendi Komunal.
LDK-ja përmes një komunikate për shtyp e ka quajtur seancën si puç me elemente të kundërligjshme.
Vetë ekzekutivi komunal ende nuk ka folur për këtë ngjarje derisa, sipas nënkryetarit, Alban Zogaj, së shpejti do të dalin me një konferencë për media.
Ligji për ndërmarrjet publike nuk e specifikon se kush mund të jetë aksionar komunal.
“Kur një komunë është aksionar në një NP Lokale, të drejtat e saj të aksionarit do të ushtrohet nga një Komision Komunal i Aksionarëve, i cili përbëhet nga (i) një anëtar i emëruar nga kryetari i Komunës dhe (ii) dy anëtarë të tjerë të emëruar nga Kuvendi Komunal”, thuhet në këtë ligj.