Për herë të parë Qeveria e Maqedonisë së Veriut në përbërjen e saj ka 10 shqiptarë.
Në 21 pozitat e Qeverisë së udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, do të ketë 9 ministra shqiptarë nga partitë shqiptare dhe një shqiptar nga partia maqedonase LSDM.
Gazetari Seladin Xhezairi, ka thënë se mbetet të shihet se si do ta arsyetojnë praninë e tyre ministrat shqiptarë në ekzekutiv.
Por fushëveprimi i tyre si edhe i gjithë qeverisë, sipas Xhezairit, do të varet edhe nga rrethanat që ka sjellë pandemia, kriza ekonomiko-sociale e kriza energjetike, të cilat sipas tij, do të thellohen.
“Jam i prirur të jem optimist, se nëse jo shumë të përmirësohet gjendja, do të mund të bëhen depërtime, dhe këtë e mbështes në pritjet e mija se të paktën do të ecet përpara projekti i shumëpërfolur i ‘Korridorit 8’ që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, do të mund të ketë depërtime në përmirësimin e infrastrukturës, sidomos në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut të banuar kryesisht me shqiptarë”, ka thënë Xhezairi.
E të gjitha arritjet ose dështimet sipas tij, do ta dinamizojnë skemën politike të Maqedonisë së Veriut.
Pjesë e qeverisë që është votuar të dielën para mesnatës janë partitë BDI, LSDM, Alternativa, PDSH dhe disa parti të tjera të vogla, si pjesë e koalicionit të LSDM-së.
Në përbërjen e Qeverisë janë vetëm 4 gra.
Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, paraditen e së hënës ka marrë detyrën nga kryeministri i deritanishëm Zoran Zaev.
Kovaçevski para se të merrte mandatin, para deputetëve ka thënë se vendi asnjëherë nuk do të jetë i ndarë mes etnive dhe dallimeve të tjera, por do të jetë i të gjithëve.
Qeveria e tij synon fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke tejkaluar edhe kontestin me Bullgarinë.
Qeveria e re është votuar pas dy ditësh të plota debati mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.
Opozita ka kontestuar legjitimitetin e Qeverisë, duke thënë se e njëjta po zgjidhet në Kuvend dhe jo në zgjedhje.
Qeveria e re u votua meqë ish-kryeministri Zoran Zaev dha dorëheqje nga detyra e kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale.