Për dy ditë, prejse ka filluar vaksinimi për gripin sezonal, janë vaksinuar mbi 1 mijë e 200 qytetarë të Prishtinës. Për dallim nga një ditë më parë, e mërkura ishte e qetë dhe nuk kishte tollovi. Edhe pse kishte mjaft të interesuar, qytetarët mbanin rend dhe respektonin distancën.
Në tendën ku po kryhet vaksinimi punojnë 4 ekipe mjekësore dhe puna aty, sipas qytetarëve, po kryhet shumë shpejt. “Sot më erdhi mundësia të vaksinohem. Nuk kam pritur as 5 minuta për vaksinim”, ka deklaruar Murat Rama, qytetar nga Prishtina, i cili u vaksinua të mërkurën.
Po ashtu një qytetar tjetër ka deklaruar se vetëm dhjetë minuta ka pritur. “Ishte në rregull gjithçka. Me organizimin e sotëm jam i kënaqur, të martën ishte shumë keq”, ka deklaruar Rrustem Sadriu, që po ashtu u vaksinua të mërkurën.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Rrezart Halili, ka deklaruar se ekipi mjekësor në tendë do të qëndrojë deri në tetë të mbrëmjes, andaj qytetarët mund të vaksinohen kurdo.
“Në mëngjes ka pasur shumë njerëz, por kemi angazhuar edhe një ekip shtesë dhe qytetarëve nuk u bie të presin më shumë se dhjetë minuta për vaksinën e gripit. U kemi dhënë prioritet kategorive më të ndjeshme, mbi 65 vjeç, shtatzënave me sëmundje kronike, por vaksinimi do të vazhdojmë deri në dozën e fundit”, ka deklaruar Halili.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është e vetmja pikë ku mund të vaksinohen qytetarët. Për kryeqytetin janë në dispozicion gjithsej 12 mijë doza të vaksinave. Këtë të hënë ka filluar shpërndarja e 160 mijë e 500 vaksinave, të blera përmes UNICEF-it, me një çmim prej 5 dollarëve.
Vaksinat kundër gripit sezonal janë katërvalente, që, sipas ekspertëve mjekësorë, e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresive në qarkullim të gripit sezonal.