Ministria e Brendshme të mërkurën ka njoftuar se 161 serbë kanë aplikuar për t'i konvertuar patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në RKS në gjashtë ditët e para të zbatimit të vendimit.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi ditë më parë se ka vendosur që t’u lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS me disa lehtësira, pasi nuk do t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht të këtij viti.
Në një përgjigje për KOHËN, Ministria e Brendshme ka thënë se ka hartuar një plan që përmes disa aktiviteteve mediale t’i mbajnë të informuar qytetarët për mënyrën se si t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë.
“Nga data 09.05.2024 deri me tani kemi pranuar 161 aplikime për patentë shoferë sipas vendimit të Ministrit me Nr. prot. 0258/24. Ne kemi hartuar një plan të komunikimit që përmes disa aktiviteteve mediale do t’i mbajmë të informuar qytetaret per mënyrat se si mund t’i konvertojnë patentë-shoferet ilegal në legal, në këtë fazë procesi po shkon mirë. Veprimet e mëtutjeshme janë të përcaktuara në vendim sipas të cilit pas datës 09.08.2024, ndalohet përdorimi i këtyre patentë shoferëve në trafikun rrugor në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së ndër të tjera.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.