Gjendja e lirisë së shprehjes në Kosovë vazhdon të mbetet brengosëse. Sulmet fizike, kërcënimet verbale, linçimet, pengimi në kryerje të detyrës, janë vetëm disa nga pengesat me të cilat po ballafaqohen gazetarët gjatë kryerjes së detyrës.
Vetëm në dy vjetët e fundit janë regjistruar 42 raste me sulme fizike dhe me dëmtime të pronës ndaj gazetarëve, shkruan sot “Koha Ditore”. Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit janë organizuar edhe në Kosovë tryeza diskutimi e aksione simbolike, ndërkohë që edhe shefat e institucioneve kanë bërë postime në rrjetet sociale për rëndësinë e kësaj dite.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka nisur aktivitetet me një aksion simbolik, ku përmes një audioincizimi janë shpalosur shprehjet fyese të politikanëve ndaj gazetarëve që janë bërë gjatë këtyre viteve. Ky instilacion artistik i vendosur në qendër të Prishtinës dhe i konceptuar nga artisti Driton Selmani “paraqet një realitet të gjuhës dhe mendimit që përdorin njerëzit e politikës”.
Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, ka thënë se përmes këtij instalacioni të gjithë qytetarët kanë mundësi të shprehen në lidhje me atë se si e shohin realitetin në Kosovë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)