Arbëri

Për dy muaj 17 zjarrfikës në Lipjan realizuan afro 200 intervenime

Qendra e zjarrfikësve në Lipjan vazhdon të përballen me mungesë të stafit dhe me intervenime të shpeshta gjatë ditës.

Gjatë muajit korrik dhe gusht ky institucion ka realizuar afro 200 intervenime të ndryshme. Kjo Qendër e ka gjithsej 17 zjarrfikës ndërkaq gjatë një ndërrimi punojnë vetëm katër prej tyre.

Drejtuesit e këtij institucioni janë ankuar se shpeshherë në Qendër mbetet vetëm personi kujdestar që i pranon thirrjet telefonike pasi që nëse ndodhin dy raste të zjarrit në të njëjtën kohë duhet të ndahen dy ekipe të zjarrfikësve me nga 2 persona.

Haqif Rrustemi, drejtor i njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan ka thënë se vetëm në javën e fundit kanë pasur 22 raste të intervenimeve në zjarre e të tjera.

“Gjatë muajit korrik janë realizuar gjithsejtë 68 intervenime të ndryshme në zjarre, aksidente, hapje të ashensorëve, hapje të banesave të mbyllura dhe disa intervenime të tjera. Ndërkaq, gjatë muajit gusht kemi realizuar gjithsejtë 107 intervenime të tilla me vetëm 4 zjarrfikës gjatë një ndërrimi që është një numër tepër i vogël”, ka thënë Rrustemi për KOHEN.

Rrustemi i cili njëherësh është edhe pjesë e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Lipjan, të hënën pasdite ka prezantuar para zyrtarëve të institucioneve disa shqetësime lidhur me mungesën e stafit dhe vështirësive me të cilat po përballen zjarrfikësit në terren.

“Ne i kemi vetëm 17 zjarrfikës e që do të duhet minimum 41 zjarrfikës t’i ketë komuna e Lipjanit, ndërkaq brenda një ndërrimi vazhdojmë t’i kemi vetëm 4 zjarrfikës në dispozicion. Dallimi në mes të 41 punonjësve dhe 17 punonjësve është shumë i madh, andaj nuk duhet shikuar as elementi i popullsisë sepse duhet të kemi parasysh edhe numrin e territoreve, shtrirja e vendbanimeve, infrastruktura rrugore e të tjera, andaj me këtë numër të vogël të stafit po kemi shumë telashe”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka shpjeguar se zjarrfikësit e Lipjanit e mbulojnë edhe Aeroportin “Adem Jashari” nga i cili shpeshherë marrin telefonata për intervenime të ndryshme.

“Rreth 4 dite me parë ne e kemi thirrur e gjithë stafin tonë dhe kemi shkuar në një rast në aeroport që kishte telashe në disa pajisje për aterime të aeroplanëve. Pra, për një defekt në aeroplan alarmi me te madh nuk ka sepse mund të jenë 180 viktima menjëherë. Prandaj çka ta bëjmë ne me staf kaq të vogël apo me ‘një grusht njerëzish’. Sa i përket teknikës sonë e kemi të vjetruar e cila është prodhuar në viti 1987, pra ne po funksionojmë m kushte të vështira të punës”, ka thënë Rrustemi.