Rezultate të papërfillshme ka regjistruar Ministria e Shëndetësisë në menaxhimin e buxhetit për investime kapitale. Ky institucion pritet ta përmbyllë vitin me shumë projekte të parealizuara e me afro 90 për qind të buxhetit të pashpenzuar. Për dështimin, nga Ministria kanë fajësuar procedurat e prokurimit
Ministria e Shëndetësisë ka dështuar plotësisht në shpenzimin e buxhetit për investime kapitale.
Nga 24 milionë euro sa i pati në dispozicion për vitin 2023, sipas raportit nëntëmujor të Ministrisë së Financave, për këtë kategori ajo ka shpenzuar më pak se 2 milionë euro, apo vetëm 8 për qind.
Ministria e Shëndetësisë në përgjigje për KOHËN ka dhënë sqarime për projektet e parealizuara, por jo edhe për shkallën e realizimit të investimeve.
Në mesin e projekteve të dështuara ka përmendur tenderin milionësh për furnizim me pajisje mjekësore për klinikat e QKUK-së. Ministria ka thënë se shkaku i mosrealizimit qëndron te mungesa e ofertave për shumicën e loteve.
“’Furnizim me pajisje mjekësore, instrumente mjekësore për njësitë organizative të QKUK-së’, aktivitet me 34 lote, janë kontraktuar 10 lote, të tjerat janë anuluar për mungesë të ofertave të përgjegjshme. Janë ritenderuar lotet e anuluara dhe presim më dt. 20.11.2023 të bëhet hapja e ofertave. Në këtë aktivitet ka pasur mjaft pyetje sqaruese, korrigjime dhe ankesa”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Probleme me procesin e prokurimit, Ministria ka thënë se pati edhe për tenderin e autoambulancave.
“Tenderi i autoambulancave është anuluar për shkak të mungesës së ofertave të përgjegjshme, ankesa në OSHP, vendimi i OSHP-së në favor të vendimit të MSH-së, - është ritenderuar dhe është bërë hapja e ofertave”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Dy tenderë për Sistemin Informativ Shëndetësor nuk kanë përfunduar për shkak se ankesat janë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ndërsa gjashtë projekte të tjera nuk kanë filluar ende për shkak se, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është vonuar projektimi. Këto projekte janë: ndërtimi i QKMF-ve në Drenas e Istog, i Klinikës Emergjente, i Spitalit të Ferizajt, QKMF-së në Shtime dhe Qendrës së Institutit Special në Shtime.
Për të mos përfunduar milionat në suficit, nga kjo ministri thonë se disa aktivitete ka shanse të realizohen në pjesën e mbetur të vitit.
“Presim deri në fund të vitit fiskal të shpenzohet edhe një pjesë e buxhetit për kapitale, meqenëse janë në proces të kryerjes së punëve në QKMF në Mamushë, rinovimi i ISSH në Shtime, rinovimi i Repartit Pediatrik në Mitrovicë, pagesat rreth 0.5 milion euro për pajisje mjekësore për Klinikën e Oftalmologjisë dhe Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji”, thuhet tutje në përgjigje.
Buxheti për shëndetësi viteve të fundit vazhdimisht është rritur, por kjo nuk ka reflektuar në dinamikën e përmbylljes me kohë të projekteve kapitale.