Arbëri

Për 6 vjet, veteranët e dyshimtë i kushtuan shtetit 300 milionë euro

Procesi gjyqësor në rastin e njohur si “Veteranët” është kthyer në rigjykim gjatë muajit prill, por ende nuk është caktuar ndonjë seancë e re për të. Apeli vendosi ta kthejë në rigjykim rastin e keqpërdorimeve me listat e veteranëve të UÇK-së, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021 ndaj të akuzuarve që ishin të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në këtë rast

298 milionë e 350 mijë euro janë shpenzuar që nga viti 2015 e deri më sot për pensionet e 19 mijë e 500 veteranëve që dyshohen të jenë përfitues të jashtëligjshëm.

Për një vit, buxhetit të Kosovës ky grup i kushton 39 milionë e 780 mijë euro, meqë çdo muaj marrin nga 170 euro.

Procesi gjyqësor në rastin e njohur si “Veteranët” është kthyer në rigjykim gjatë muajit prill, por ende nuk është caktuar ndonjë seancë e re për të. Apeli vendosi ta kthejë në rigjykim rastin e keqpërdorimeve me listat e veteranëve të UÇK-së, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021, ndaj të akuzuarve që ishin të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në këtë rast.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Renda, i datës 16.4.2021 dhe lënda kthehet në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në njoftimin e Apelit. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se gjykata e shkallës së parë ka bërë gabimisht vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike, përkundër faktit se janë ofruar dhe administruar prova të mjaftueshme, të cilat po të vërtetoheshin saktë dhe drejt do të provohej se në veprimet e të akuzuarve manifestohen elementet e veprës penale”, thuhej në ankesën e Prokurorisë Speciale.

Me kthimin në rigjykim është ndërruar edhe gjyqtarja. Në vend të Nushe Kuka- Mekajy, e cila ishte transferuar nga Gjykata e Pejës në Prishtinë, për ta trajtuar vetëm këtë rast, është caktuar gjykatësi Gazmend Bahtiri, ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. Ajo tha se ende nuk është caktuar seancë për këtë rast.

“Rasti është kthyer në rigjykim dhe i njëjti tani do të gjykohet nga një trup gjykues tjetër. Lënda i është ndarë gjyqtarit të Departamentit për Krime të Rënda të kësaj gjykate, Gazmend Bahtiri. Seanca e shqyrtimit fillestar nuk është caktuar ende. E njëjta do të jetë publike”, ka thënë Gashi.

Nga Gjykata nuk kanë treguar nëse ky rast do trajtohet me prioritet dhe nëse do dëgjohen audio-incizimet, ku sipas aktakuzës dëgjohen të akuzuarit duke biseduar rreth fryrjes së listës, incizime që nuk ishin lëshuar në seanca të kaluara.

Audio-incizimet janë të paraqitura edhe në aktakuzë, të cilën e ka edhe KOHA, ku tregohet qartë se anëtarët e Komisionit për Verifikim të Statusit të Veteranit kishin folur për listat e fryra të veteranëve e dëshmorëve. Nga 54 faqe të aktakuzës, 5 faqe janë me transkripte të bisedave mes anëtarëve të këtij komisioni. E ideja e pastrimit të listave të rreth 50 mijë veteranëve është rikthyer në diskutim publik, pasi që Qeveria e dërgoi në Kuvend Projektligjin për rritjen e pagës minimale, me të cilin nuk rriten pensionet e veteranëve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një postim në Instagram, ka thënë se lista e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të pastrohet nëse nuk tërhiqen vetë.

“Do të ketë verifikim të listave të veteranëve. Kushdo qoftë që edhe një minutë e ka mbajtur uniformën e UÇK-së meriton përulësi, respekt dhe mbështetje nga shteti, por jo edhe ata të cilët nuk kanë qenë në luftë. Ata nëse nuk tërhiqen, duhet të largohen nga lista, sepse është dëm i madh i së kaluarës, tashmes dhe të ardhmes,” ka shkruar Haxhiu.

Por as Haxhiu e as stafi i saj nuk janë përgjigjur nëse kanë ndonjë plan për pastrimin e listës së veteranëve.

Pastrim të listave të veteranëve ka kërkuar ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Ka shumë veteranë që kanë nevojë për vende pune, mirëpo për luftën çlirimtare duhet të ekzistojë një vlerësim meritor edhe material, veçse nuk duhet ta mashtrojmë as veten dhe as gjeneratat e ardhshme me numër të fryrë gati në trefishim, prandaj është e domosdoshme që një herë ta kemi pikënisje të vërtetën dhe më pastaj ta kemi vlerësimin e duhur”, ka thënë ai.

E duke kundërshtuar largimin e tyre si kategori nga Ligji që rregullon pagat, veteranët kanë protestuan 2 herë, madje javën e kaluar kanë qëndruar mbi 6 orë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Në shtator të 2018-s, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër anëtarëve të Komisionit për Verifikim të Statusit të Veteranit, që kryesohej nga ish-kryeministri Agim Çeku dhe Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Rrustem Berisha e tetë persona të tjerë.

Për shkak të kërcënimeve, për këtë aktakuzë, ish-prokurori i lëndës Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqjen në gusht të vitit 2018.