Arbëri

Spitalet private përfituan qindra e mijëra euro nga mosservisimi i aparatit në QKUK me kosto 28 mijë euro

QKUK

Dështimi i Klinikës së Ortopedisë për të ofruar shërbime për pacientë u ka sjell qindra mijëra euro përfitime financiare spitaleve private në Kosovë. KOHA gjatë hulumtimit të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike ka gjetur të dhëna që tregojnë se diagnoza më e shpeshtë e përshkruar për trajtim jashtë QKUK-së është patologjia Ruptura ACL, ndërsa arsyet që përmenden në fletëreferime janë mungesa e materialit dhe defekti në aparaturë, servisimi i të cilit kapte vlerën e 28 mijë eurove

Klinika e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në katër vjetët e fundit e ka marrë epitetin e kampiones për më së shumti pacientë të referuar në spitalet private. Përfitues i dështimit për të ofruar shërbimet në këtë klinikë janë kryesisht dy spitale private në Kosovë.

KOHA gjatë hulumtimit të Programit për Trajtim Jashtë institucioneve Publike ka analizuar të gjitha referimet e QKUK-së. Sipas gjetjeve të hulumtimit, diagnoza më e shpeshtë është patologjia Ruptura ACL, ndërsa arsyet që përmenden në fletëreferime janë defekti në aparat dhe mungesa e materialit.

“Indikohet tretmani operativ jashtë QKUK-së në kuptim të ligamentoplastikës dhe meniscorafisë së gjurit të majtë. Ky intervenim teknikisht nuk mund të kryhet në QKUK për shkak të defektit momental të aparatit (Arthroscopi), për ndërhyrje më të gjatë (vlerësim nga mjekët që kryejnë rekonstruksion e ACL-it)”, thuhet në fletëreferimin e janarit të vitit 2018.

Kjo ndërhyrje shtetit i kushtoi 7,730 euro.

Për periudhën prej 72 orëve janë referuar raste me kosto afro 20 mijë euro, gati sa vite më vonë kushtoi servisimi i aparaturës në QKUK.

I gjithë muaji sipas pagesave të llogaritura një për një nga KOHA kishte arritur koston e mbi 50 mijë eurove. Trendi i këtyre referimeve ka vazhduar edhe në muajt e tjerë të vitit 2018.

KOHA e ka kontaktuar menaxhmentin e Klinikës së Ortopedisë, por ata nuk janë përgjigjur.

“Hileja” me servisimin e aparatit që zgjati disa muaj

Në dokumentet që posedon KOHA, në nëntorin e vitit 2020, QKUK-ja kishte nënshkruar tenderin për rregullimin e artroskopit dhe vlera e servisimit ishte 27.7 mijë euro. Por, kompania servisuese kishte vonuar finalizimin e punës, e për pasojë kishte vazhduar referimi i pacientëve te spitalet private. Kjo konfirmohet në një nga fletëreferimet e shumta të janarit të vitit 2021.

“Arsyeja e referimit jashtë SHSKUK-së. Për shkak të mosfunksionalizimit të artroskopit dhe mjeteve përkatëse në Klinikën e Ortopedisë në QKUK të trajtohet jashtë QKUK-së. Me urgjencë”, thuhet në këtë fletëreferim.

Klinika e Ortopedisë është një nga klinikat e QKUK-së që shpenzon më së shumti buxhet përmes referimeve jashtë vendit. Pothuajse asnjëherë nuk ndodh që shuma e shpenzuar për një muaj të jetë nën 100 mijë euro, ndonjëherë arrin edhe vlerën 300 mijë euro. Në vitin 2021 ishin shpeshtuar edhe rastet kur si arsye e referimit përmendej mungesa e materialit.

“Arsyeja e referimit jashtë SHSKUK-së: Në mungesë të materialit osteosintetik operacioni nuk mund të realizohet në QKUK. Nëse sigurohen materialet e nevojshme procedurat e tilla mund të realizohen edhe në QKUK”, thuhet në një fletëreferim.

Në muajin shkurt të vitit 2021 ishte regjistruar shifër rekorde e referimeve nga kjo klinikë. Kostoja e tyre për buxhetin e shtetit kishte mbërritur në afro 350 mijë euro. Ndonëse ishin bërë katër muaj që ishte dhënë tenderi për rregullimin e artroskopit, aparati nuk po rregullohej e pacientët vazhdonin të referoheshin në privat.

“Indikohet për trajtim jashtë QKUK-së, për shkak të mungesës së aparaturës (aparatura në defekt)”, thuhet te rubrika ku jepet arsyeja e referimit.

Por shkurti nuk shënon kulmin e referimeve. Për muajin vijues, në raportin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor dërguar QKUK-së, thuhej që vlera ka arritur në 369 mijë euro. Arsyeja më e shpeshtë - mungesa e materialit.

Ndërsa po kalonin disa muaj prej kur ishte paguar shërbimi i servisimit, artroskopi ende nuk ishte bërë funksional.

“Arsyeja e referimit jashtë SHSKUK-së: Udhëzohet për trajtim operativ jashtë QKUK-së, për shkak të mosfunksionimit të artroskopit”, thuhet në dosjen numër 6 të muajit prill të vitit të kaluar të

Klinikës së Ortopedisë.

Lista e gjatë e pritjes

Ortopedia prin me numër të pacientëve të referuar jashtë spitaleve, por patologjitë e Pediatrisë dhe Hematologjisë, për shkak të kostos së lartë financiare të trajtimit, shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit të dedikuara për sëmundjet që nuk trajtohen në institucionet shëndetësore publike.

Klinika e Ortopedisë vitin e kaluar nëpërmjet një shkrese e kishte njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë së çfarë lloj patologjish nuk trajtojnë. Ato ishin ndarë në emergjente dhe joemergjente.

“Emergjente: Politrauma (frakturat e pelvikut, frakturat e unazave të shtyllës kurrizore me deficite neurologjike, tumoret me malinje invazive te fëmijët dhe të rriturit të sistemit osteomuskularr)”, thuhet te patologjitë emergjente.

Patologjitë e listuara si joemergjente janë më të shumta në numër.

“Joemergjente: Reintervenimet në kërdhokulla dhe gjunjë, lëndimet e manzhetës rotatorë të nyjës së krahut, anomalitë kongjenitale të sistemit osteomuskular te fëmijët, skoliozat, psedudoarthrozat infektive...”, thuhet në sqarim.

Për moskryerjen e tyre, në emailin e siguruar nga KOHA janë dhënë tri arsye - mungesa e materialit, mungesa e aparaturës dhe mungesa e trajnimit të stafit.

Përveç referimeve, në Klinikën e Ortopedisë ka edhe lista të gjata të pritjes, madje që nga viti 2018.

(Në vazhdim të hulumtimit mund të lexoni: Si ndodhi që “mungesa e një tavoline” të bëhet shkak i paralizimit të punës së një reparti? Kush thotë se puna është bojkotuar qëllimshëm nga stafi? Pse nuk u blenë protezat në QKUK, por në sektorin privat?)